TIRANE- Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi i ftuar në emisionin “Njerëz në Fokus” të gazetares Ola Bruko foli për rëndësinë e arsimit profesional dhe vendeve të punës që rrjedhin prej tij.

Ola Bruko: Me ne në studio është z. Blendi Klosi. Nga ky Panair po zhvillohet Olimpiada e Aftësimit. Ç’mund të na thoni?

Blendi Klosi: Faleminderit për emisionin dhe jehonën që i keni dhënë kësaj Olimpiade, nuk do donim ta quanim panair, por Olimpiadë, sepse çdo minutë nxënësit ishin protagonistët kryesore. Nxënësit dëshmuan që janë shumë të aftë, dhe mund të realizojnë vepra që edhe pse duken si gjëra të thjeshta janë gjëra për të cilat ne kemi shumë nevojë. Në këtë aktivitet konkurruan nxënës të 42 shkollave publike dhe të 10 qendrave të formimit profesional, dhe dy universitete. Kishte përfaqësues nga më të spikaturit të 540 bizneseve private që ofrojnë arsim profesional. Në këtë panair konkurruan shkollat publike dhe kishin rezultate mbreslënëse. Konkurruan nxënës të shkollave elektrike, stilimit, hoteleri turizmit, përpunimit të drurit, shtruesit e pllakave, bërësit e tryezave e karrigeve etj. Ka pasur një fill që lidhte këto aktivitete, ka qenë kërkesa për të prodhuar, pajisje, materiale dhe skema të vogla elektrike për komunitetet në nevojë dhe në ambientet e këtij aktiviteti kishte nxënës që konkurruan. kush bënte instalimin më të mirë elektrik, hidraulik. Ky aktivitet është i pari i këtij lloji në Shqipëri.

Ola Bruko: Por në Shqipëri bëhet për herë të parë. Por çfarë domethënie ka që ky lloj Panairi bëhet për herë të parë në Shqipëri?

Blendi Klosi: Aktiviteti erdhi si produkt i përpjekjeve dy vjeçare, në vitin 2014, u mor vendimi që aktiviteti të kalojë nën varësinë e ministrisë së Punës, dhe ne dëshirojmë që të kthehet në identitet arsimi profesional. Sepse dhe kur sheh statistikat, ka një zbehje të këtyre statistikave. Në fillim të viteve ‘90, mbi 60% e nxënësve në shkollat e mesme shkonin në arsimin profesional. Pas viteve ’99, në degradim të plotë të arsimit të mesëm, duke lulëzuar universitetet private, vetëm 8% shkonin në arsimin profesional. Pra lindi nevoja që të ringrinim imazhin e arsimit profesional. Pra nevojitet mbështetje për këtë lloj arsimimi dhe ideja e Panairit, e kësaj Olimpiade menduam se ia kemi arritur me shumë sukses. Dhe nxënësit mundën të konkurronin, dhe ata konkurruan duke dëshmuar të tregonin aftësitë e tyre por nevojitet më shumë kualifikim.

Ola Bruko: Fiton gjë më i miri?

Blendi Klosi: Është një juri profesioniste që tregon se kush ka fituar. Po çmimi është simbolik, u japim një flamur, disa bursa nga partnerët tanë të biznesit, por rëndësi nuk ka fitimi.

Ola Bruko: Domethënë e rëndësishme është e ardhmja e atij që fiton…Duhet parë në këtë këndvështrim besoj…

Blendi Klosi: Padyshim, dhe në kuadër të bashkëpunimit me ministrinë e Arsimit, kemi pasur një superpjesëmarrje. Ata panë live sesi veprohej me arsimin profesional, gjithçka u krye duke u realizuar një edukim i ri. N.q.s një fëmijë i klasës së 9, vjen tek arsimi profesional, ai merr një aftësim, një profesion, një rrogë të mirë, shikoni djem dhe vajza këtu që morën pjesë. Por, të gjithë nxënësit që mbarojnë arsimin profesional kanë më shumë shanse për punë se një nxënës që ka mbaruar thjesht shkollën e mesme të përgjithshme. Po të shohësh këta nxënës këtu, janë të gjithë të punësuar që në vitin 3 apo të 4. Pra si të thuash ishte një mënyrë praktike dhe jo vetëm duke bërë biseda në studio, për të shpjeguar, por kjo ishte një mënyrë praktike, se përse duhet zgjedhur një arsim profesional. Nxënësi i arsimit profesional merr një arsim, edukim, një profesion, merr pagë të ardhura shumë më të mira, trajnohet nesër për të hapur një biznes, merr një diplomë që konkurron nesër dhe në tregun europian. Më 15 shtator ka 15 qendra ekselence. Ka shkolla që janë binjakëzuar me shkolla jashtë. Këta nxënës mund të futen direkt në tregun e punës jashtë. Ne harronim që duhet të përgatisnim punonjës për tragete, kemi të rinj sot që mund të marrin paga si një italian. Kështu kemi ‘Hysni Cela’, shkolla në Durrës.

Ola Bruko: Përmendet këtë shkollë, por tjetër?
Blendi Klosi: E kam për zemër të flas për këtë temë. Sepse kemi zhvilluar shumë takime me donatore dhe ata ishin skeptikë mbi sistem dhe menduam që në fazë të parë të punonim me një grup shkollash ekselence. Kështu kemi në plan që një grup shkollash ti ribrendojmë. Kështu shkolla e Kamzës, është një ndër shkollat më të mira dhe nën mbështetjen gjermane, nesër mund të kthehet në shkollën më të mirë në Europa, sepse mund të prodhojë nxënës shumë të mirë elektrikë, mekanikë, këtë lloj industrie që do gjermani shumë. Kështu do të jenë dhe 4 shkolla të tjera që do të mbështeten nga kooperacioni zvicerian, siç është shkolla e Lezhës, e Beratit, të tre shkollat e Vlorës. Një zhvillim interesant është shkolla e Shkodrës që është binjakëzuar me një shkollë britanike në Londër. Kemi shkollën pyjore të Shkodrës, e cila është në një rrugë binjakëzimi me një shkollë në Finlandë, mendoj se do i japë superfrymëmarrje realitetit shqiptar, sesi punohet ne pyje, si te investohet si te realizohet
E vërtetë në kemi shumë nevojë për këtë Po kështu dhe kooperacioni me austriakët, po kështu dhe shkolla e hoteleri turizmit në Bruksel, unë vetë e vizitova këtë shkollë dhe ata duan që metodat e tyre t’i sjellin në Tiranë. Shkolla ‘Arben Broci’ në Shkodër për megatronin, ose shkolla për këpucë duke ditur sa nevojë ka fasoneria. Ose shkollat në Fier për të cilat po mundohemi sesi t’i kthejmë në shkolla model. Me pak investim shkolla ‘Rakip Kryeziu’, me pak investim nga 7 nxënës në vitin 2013, sot numëron në vitin e parë, ka 240 nxënës. Shkolla transformohet në një shkollë ekselence, me investim jo vetëm nga shteti por nga dhe nga italianët. Kjo dëshmon për urine ndaj arsimit profesional.

Ola Bruko: Kryeministri Rama në nisje të këtij panairi, Olimpiade të Aftësive, u shpreh se synimi është që të rrisim punësimin me qëllim uljen e papunësisë. Nga marrja e detyrës së qeverisë ‘Rama’ e deri më sot, a keni ju shifra sesa janë punësuar nga marrja e duke ndjekur arsimin profesional, se nuk po merreni pikërisht sot, ka 2 vite.

Blendi Klosi: Jua thashë se në bazë të studimeve që kanë bërë ‘British Counsle’, realisht nxënësit që zgjedhin arsimin profesional kanë mundësi dyfish që të gjejnë punë se nxënësit e arsimit joprofesional. Duhet realizuar një projektpilot i plotë që të mësohet se çfarë ndodh me një nxënës që merr diplomën. Jemi në gjurmim të tyre dhe do kemi shumë shpejt statistika. Por ajo çfarë kemi bërë më shumë është raporti me biznesin. Është e vështirë të dalë një biznesmen dhe të thotë, jam në rregull me këto që kam. Jo në çdo biznes lind nevoja për profesione. Ndaj kemi bërë mirë që kemi kërkuar këtë raport ndërmjet biznesit dhe arsimit profesional. Kështu veprohet në Gjermani, sepse nuk ka shkollë profesionale në Gjermani që të mos ketë një kontratë me një biznes dhe nxënësi e di shumë mirë se në cilën kompani mund të punojë nesër.

Pyetje nga nxënësit për arsimin profesional
.A do ketë të ardhme rinia në Shqipëri dhe jo nëpër vend etë tjera
.A do të hapen qendra të reja rezidenciale, sepse numri i këtyre qendrave për të moshuarit është i vogël
.Çfarë do bëhet me mekanikët pasi të kenë përfunduar studimet?
. Do doja më shumë orë praktike nëpër laboratorë
. A do rriten financimet dhe kur do e bëjë këtë gjë?

Ola Bruko: Zoti ministër, do ju përgjigjesh pyetjeve;

Blendi Klosi: Po ne po punojmë për të ardhmen në Shqipëri. Nuk e mohoj që me një diplomë nga arsimi profesional të mund të punosh dhe jashtë vendit. Por ajo që na intereson më shumë është që ai nxënës të zgjedhë Shqipërinë. Arsimi profesional është një mekanizëm i së ardhmes, nuk është vetëm një shkollë, është një mekanizëm ekonomik që mund të ndryshojë gjithçka, mund të krijojë një shtresë komplet të re të mesme në Shqipëri. Po të jesh mekanik i mirë merr dyfish apo trefish nga paga minimale. Një djalë i shkollës ‘Hysen Cela’ punon në tragetin Durrës-Ankora. Përse do ikte në Itali ai kur paga do i shkojë 900 euro?

Ola Bruko: A do të hapen qendra të reja rezidenciale, sepse numri i këtyre qendrave për të moshuarit është i vogël?

Blendi Klosi: Po kemi bërë tolerancë që të vijojë dega sociale e Kamzës, por vetë ai komunitet aty ka nevojë për shërbim social dhe ne tashme me partnerët tanë ndërkombëtarë, jemi në një fushatë ‘Unë përkujdesem për familjen’, për të bërë një hartë të qartë të shërbimeve sociale. Kemi 28 institucione shtetërore dhe 175 institucione që ofrojnë shërbim social por sërish kemi zona të pambuluara dhe Kamza është një prej tyre.

Ola Bruko: Pyetja tjetër, sa i përket shkollave profesionale, çfarë do të behet me ata nxënës që nuk kanë mundësi të futen në praktikat e ndryshme si ato të kuzhinave.

Blendi Klosi: Jo të gjitha e kanë dimensionin për praktikë, por dhe në debate që kemi bërë, një porosi u dhashë, se në çdo fillim shkolle do të ketë kontrata të rregullta me komunitetin e biznesit. Dhe ky komunitet duhet të përfshihet më tepër në arsimin profesional. Kjo marrëdhënia shkollë, tregu i punës, dhe komuniteti i biznesit kam përshtypjen që do të kristalizohet me ligjin e ri.

Ola Bruko: A do rriten financimet dhe kur do e bëjë këtë gjë?

Blendi Klosi: Sjell në vëmendje shkollën e Kamzës dhe në një partneritet me gjermanët do e realizojmë që kjo shkollë të bëhet model në Europë.

Ola Bruko: Dua të di më shumë për ligjin e ri për arsimin profesional. Çfarë risish sjell ai, në ç’formë i mbështet nxënësit dhe të ardhmen e tyre?

Blendi Klosi
: Ligji i ri, të cilin e kemi diskutuar gjerësisht dhe jemi të hapur për çdo lloj diskutimi dhe e mendoj që do të jetë një nga ligjet me realistë dhe unë do e kujtoj gjatë në karrierën time, është një ligj që synon të transformojë shkollën tonë në një qendër multifunksionale. Shkolla të jetë një shkollë që ofron kurse për adulte, kurse 6 mujore, 1-vjecare, 2-vjecare, të ketë mundësi të ofrojë kurse sipas kërkesës e ofertës. Kërkesa e dytë, është për cilësinë. Cilësia që ofron shkolla jonë dhe për trupën pedagogjike. Dhe pse kemi folur kaq shumë për arsimin profesional, godinat, pak kemi folur për kualifikimin e mësuesve. Pra që shkolla të jetë autonome me të ardhurat që mbledh. Nesër të kemi një inxhinier të mirë të lokalitetit ku funksionon, një mekanik i mirë të paguhet mirë dhe të japë mësim nesër në këto shkolla.

Ola Bruko: Kjo ka qenë një kërkesë e trupës pedagogjike për rritje pagash, ju e keni reflektuar në këtë mënyrë, në këtë ligj?

Blendi Klosi: Mendoj se është një mënyrë shumë e mirë se si mund të thithim më të mirët. Të kemi mundësinë që shkolla të jetë një identitet biznesi. Pra, produktet që realizojnë nxënësit t’i shesim dhe me këto të ardhura ato të futen dhe në konceptet e biznesit për vetë nxënësit, por dhe të kenë të ardhura më shumë për të bërë një kualifikim më të mirë të mësuesve dhe trupës pedagogjike. Shkollat e ekselencës do të jenë të parat që do t’ju jepet kjo mundësi, për të pasur mundësinë që me emrin e mirë që kanë, duke pasur një staf më mirë të paguar, dhe shumë më mirë të kualifikuar dhe ne për këtë po punojmë, që të bëjnë një kualifikim të madh të të gjithë trupës pedagogjike të edukimit profesional. Mendojmë që do t’ja rrisim cilësinë shkollës. Dhe e treta është se si nëpërmjet legjislacionit ne do të mundet të krijojmë këtë dimension, që shkolla e formimit profesional të ketë mundësinë që të ketë lidhjet reale me komunitetin e biznesit. Sot biznesi e ka të vështirë të vijë tek shkolla. Pse duhet të vijë, vetëm për dëshirën e mirë për të ndihmuar edukimin profesional, kjo nuk mjafton. Nëse duam të kemi arsye të vërteta, që janë që biznesi të jetë fitimprurës nga marrëdhënia me shkollën, pra të marrë nxënës dhe nëpërmjet punës që këta nxënës ofrojnë, të ketë mundësinë që të shohë ato mendësitë e reja të profesionit, të ketë mundësinë që t’i kualifikojë pa patur kosto pas një viti që këta nxënës t’i marrë pa provë dhe t’i rrinë 6 muaj dhe pastaj humbasim në atë rrjetin e gjetjes së elementëve të rinj. Të ketë mundësi që duke pasur më shumë profesionistë të hapë më shumë vende pune. Se këtë na thonë të gjithë bizneset që ne s’kemi mekanikë, s’kemi elektricistë, hidraulik, manovrator. Duke marrë nxënës të kualifikuar në arsimin profesional, shtohet mundësia për të bërë aktivitet profesional.

Ola Bruko: Ky është një ligj i implementueshëm. Se jemi mësuar të kemi ligje që nuk zbatohen…

Blendi Klosi: Që kur kam ardhur ministër e kam thënë do miratojmë ligjin e arsimit profesional, por vetë kam kthyer nja 3-4 drafte. Sepse realisht nuk gjej në debatin që kemi bërë me shumë profesionistë, ju garantoj që kemi harxhuar shumë energji dhe djersë e mendje për ta bërë këtë ligj kuadër të implementueshëm. Nëse ligji nuk do jetë i implementueshëm, atëherë do jetë një dështim i madh për ne, jo vetëm si institucione që miratojmë, por për të gjithë sistemin. Tashmë ka ardhur koha që pas kaq shumë debate për arsimin profesional dhe kaq shumë diskutimesh për edukimin profesional, kaq shumë kërkesash për të marrë një arsim profesional, ka ardhur koha që t’i kthejmë në standarde.

Ola Bruko: Pra ju garantoni që ky ligj do të jetë i implementueshëm?

Blendi Klosi: Do jetë një ligj që do të ofrojë standard. Eshtë një ligj i bërë me partnerët tanë ndërkombëtarë, është një ligj i cili ka marrë vlerësime nga Agjencia Europiane e Edukimit Profesional. Siç e shikoni dhe në ambientet e kësaj olimpiade ka shumë e shumë si të thuash raport me partnerët ndërkombëtarë, të cilët realisht janë shumë mirë të fokusuar në edukimin profesional. Kam shumë shpresa që më të mirët e kësaj olimpiade do t’i çojmë nëpër kompeticionet evropiane të kualifikimit dhe do ta kthejmë olimpiadën në një histori suksesi të përvitshëm. Eshtë një produkt që duhet ofruar tek ata që duhet ta marrin. Eshtë një produkt që u ofrohet bizneseve për të parë që realisht ka njerëz të kualifikuar, por është një produkt për nxënësit e klasave të 9 dhe prindërve, të cilët i ftoj shumë që në ditët e hapura që kemi zhvilluar në të gjithë Shqipërinë, të shkojnë dhe të vizitojnë një shkollë nga afër.

Ola Bruko: Ka një kuriozitet zoti Klosi, pse u zgjodh Expo City për zhvillimin e olimpiadës së aftësive?

Blendi Klosi: Eshtë një ambient realisht shumë i mirë, supermodern. Eshtë një mundësi për ti dhënë realisht forcë dhe energji edukimit profesional. Eshtë një ambient shumë i madh. Mendoj që për vitin tjetër kjo hapësirë do jetë përsëri e vogël, dhe në fakt që këtë vit donim ta bënim, por na ra shi, këto laboratore, torno, sallat e mëdha do t’i bëjmë në hapësirën rreth këtij ambienti. Olimpiada do bëhet e përvitshme. Them që patëm një aktivitet shumë të suksesshëm, kjo falë mbështetjes personale të kryeministrit Edi Rama, punës së palodhur që bënë shumë e shumë djem e vajza që kontribuan në këtë panair. Do doja të falënderoja shumë nxënës dhe mësues që erdhën nga e gjithë Shqipëria dhe kontribuan që për tre ditë, arsimi profesional të jetë tema e ditës.

Ola Bruko: Do përfitoj t’ju pyes shkurtimisht për disa çështje që në një farë forme kanë tronditur opinionin publik. Jeni në fushatë e sipër për të mbrojtur fëmijët, ndërkohë që Shkodra, Saranda kanë përbërë ditët e fundit skandalet e fundit në lidhje me abuzimet me të mitur në radhët e fëmijëve jetim. Është e treta ngjarje që regjistrohet por të kujtojmë edhe Durrësin. Durrësi dhe Saranda u bënë publike falë mediave, ndërkohë që Shkodra falë iniciativës së Avokatit të Popullit. Në Shkodër kemi të bëjmë me tre të mitura që janë abuzuar seksualisht dhe thuhet se kjo ka ndodhur nga djali i ish-drejtoreshës. Tani unë e di që ju keni reaguar menjëherë pasi ngjarja ndodhi. Si ka mundësi që nuk u parandalua një ngjarje e tillë, kur ju vetë keni hartuar 8 raporte?

Blendi Klosi: Kjo është historia e të gjithë qendrave tona të përkujdesjes sociale. Në radhë të parë ju e keni parë, unë vazhdoj të them që ne kemi një vijë demarkacioni, në çdo ngjarje që aludohet apo mendohet se mund të ketë ndodhur një abuzim apo një shenjë dhune, realisht reagimi jonë është me tolerancë zero. Por kjo nuk do të thotë që ne duhet ta hedhim poshtë punën që bëhet në këto institucione, pasi po e shikoj që po krijohet një si ndjesi që puna është zero, dhe aty nuk funksionon. Ka shumë zonja, vajza, gra të cilat punojnë së bashku me këta njerëz me problematika shumë të mëdha. Derdhin djersë dhe lot bashkë me ta, përkujdesen për ta. Por që realisht nuk jemi në ato nivele që duhet. Mbase ka ardhur koha që qendra rezidenciale sidomos për fëmijët e kësaj moshe janë të pamundur të menaxhohen në standardet që kërkohet dhe të mos ketë ngjarje.

Ola Bruko: Pra ju keni kërkuar mbylljen e tyre. Këtë gjë e kërkoi dhe kryetarja e Bashkisë.

Blendi Klosi: Eshtë mundësi reale. Që të mbyllen nuk do të thotë që këta fëmijë të dalin në rrugë. Familjet kujdestare duhet t’i gjëjë pushteti vendor. Pushteti vendor duhet të interesohet se kush janë familjet që mundet të mbajnë një djalë një vajzë të asaj moshe me pagesë, se nuk bëhet për bamirësi. Ky është një proces që realisht ka qenë si tabu në vendin tonë që tani po e realizojmë. Por ka shumë nevojë që të jetë një filozofi. Edhe media duhet të jetë pak më e kujdesshme. Rasti i Sarandës është një rast i cili na hap këtë debat. Pasi nuk mund të shkojmë pas deklarimit të një ish-drejtoreshe që nxënësit kanë thënë kështu. Ne bëmë një superkontroll në Sarandë. Vajtën psikologët, punonjësit socialë, pyetën çdo fëmijë të asaj qendre dhe realisht nuk ka evidenca që ka ndodhur ngjarja. Edhe për ngjarjen e Shkodrës ne kemi 8 raporte që janë bërë nga Shërbimi Social Shtetëror. Kjo punë nuk mund të kalojë ping pong nëpërmjet institucioneve dhe topi pastaj të mos dihet ku të shkojë. Raporti i Avokatit të Popullit është i njëjtë me ato të Shërbimit Social Shtetëror. Përgjegjësia individuale, përgjegjësia mbi edukatoret që në fund të fundit dhe ezaurohen nga pikëpamja mentale. Duhet të bëjmë testim të vazhdueshëm të këtij personeli.

Ola Bruko: Dua thjesht të kuptoj si funksionon, institucionet e varësisë suaj bëjnë një raport që përfundon ku?

Blendi Klosi: Tek drejtuesit e institucionit dhe tek bashkia në rastin konkret. Për këtë psikologen, Inspektorati i Punës kishte kërkuar shprehimisht që kjo nuk mund të ishte psikologe sepse nuk i përmbushte kushtet. Tetë raporte kanë kërkuar reformim të atij institucioni. Është kërkuar që të ndryshojë personeli. Ne kemi realisht një shoqëri që është shumë ndjeshme për këto ngjarje. Falënderoj median që denoncon rastet. Është shumë mirë që çdo ngjarje të raportohet, të evidentohet.

Ola Bruko: Nga institucioni i Avokatit të Popullit kemi indicie se ngjarje të tilla mund të ndodhin edhe në dy qendra të tjera rezidenciale, keni dijeni?

Blendi Klosi: Kjo nuk mund të jetë një gjëegjëzë. Kur ka ngjarje, duhet të evidentohet. Ngjarja e fëmijës së goditur në Durrës pati reagim, kujdestarja u hoq, drejtoresha edukatorja u shkarkuan u çuan në ndjekje penale. Pra, sa më shpejt të reagojmë, sa më me forcë jo të mbajmë raporte

Ola Bruko: Çfarë bashkëpunimi keni me Avokatin e Popullit?

Blendi Klosi: Bashkëpunim institucional, raportet tona janë institucionale ai ka detyrë të bëjë oponencë të aktiviteteve qeveritare, detyrë primare ka të mbroje interesat e qytetarëve, Kjo duhet të ndodhë vjen edhe duke bashkëpunuar me institucionet shtetërore, duke pasur strategji të përbashkëta.

Ola Bruko: Duke qenë se synoni mbylljen e qendrave rezidenciale…

Blendi Klosi: Jo mbylle, transformim

Ola Bruko: Kur mund të ndodhë kjo?

Blendi Klosi: Do bëja gabim nëse të jepja datë, është e pamundur të gjesh pqr të gjithë fëmijët familje kujdestare por rëndësi ka reduktimi i numrit. Ne ofrojmë arsim profesional për adultët, se çfarë ndodh me ta. Ndaj ofrojmë arsimin profesional që të kenë një zanat, që të kenë një punë, që të jetojnë në mënyrë të denjë.

Ola Bruko: Çfarë do të thotë familje kujdestare?

Blendi Klosi: Është një familje që merr përsipër të kujdeset për fëmijë të qendrave tona rezidenciale konsideruar si jetimë, me prindër të humbur apo prindër sociale, e cila merr pagesë për këtë shërbim që kryen. Është e detyruar të marrë raport me institucionet e kujdesit social për të monitoruar vazhdimësinë e fëmijës, për të qenë një katalizator i problemeve sociale. Sado e mirë të jetë një jetimore, fëmija e ka të vështirë nga ana psikologjike të mos ketë me vete gjithë vuajtjen e këtij komuniteti, trauma. Ndërsa po të shkojë pranë një familje rritet me ngrohtësi, bëhet më i relaksuar nga pikëpamja psikologjike. Edhe pse në qendrat rezidenciale kushtet janë shumë të mira, prapa mungon mungesa e përkujdesjes familjare.
(d.b/er.nu/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: