TIRANE- Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi ka reaguar sot për situatën në të cilën ndodhet personat me aftësi të kufizuar në Fier. Duke qenë se gjendja për këtë kategori paraqitet problematike, ministri Klosi është shprehur se tashmë do të ngrihet një grup pune verifikimin e kempit, dhe shpërndarjes së pagesave për ta.
Ndërkaq, ministri u shpreh se për realizimin e kësaj pune do të angazhohen 12 mjekë, të cilët do të punojnë për normalizimin e situatës në Fier. “Do të zgjidhim situatën e krijuar në rrethin e Fierit. Kryeministri Rama është njohur me situatën rënduar të personave me aftësi të kufizuar, të cilat janë në pritje për rishikimin situatës së tyre. 12 mjekë dhe 3 punonjës të shërbimit social shtetëror do të punojnë për situatën në Fier”, tha ministri Klosi.
Sipas ministrit të Mirëqenies, situata në të cilën ndodhen personat me aftësi të kufizuar paraqitet problematike thuajse në të gjithë vendin, ndërsa është shprehur se do të merren masa për normalizimin e saj.
JA DEKLARATA E PLOTE E MINISTRIT BLENDI KLOSI
Duke marrë shkas nga numri i madh i personave me aftësi te kufizuara që nuk kanë arritur ende të diagnostikohen dhe komisionohen, kryesisht në qarkun e Fierit, dhe që për pasojë nuk arrijnë të marrin përfitimet që u takojnë në bazë të ligjit “Për Ndihmën Ekonomike dhe Shërbimet Shoqërore”, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Ministria e Shëndetësisë kanë ngritur sot 3 grupe të reja, Komisione Mjekësore të Caktimit të Aftësisë për Punë – apo i njohur ndryshe KEMP, për të zgjidhur 1200 raste të evidentuara.
Duke iu përgjigjur urdhrit të Kryeministrit për të kompletuar numrin e pamjaftueshëm të mjekëve të cilët kryenin këtë proces deri më sot, do te shtohen 12 mjeke te specialiteteve dhe 3 punonjës të shërbimit social shtetëror, te cilët do të punojnë në mënyrë të pandërprerë për një periudhë 1 javore nga data 8 qershor deri më datë 15 Qershor 2015, për të zgjidhur situatën në Qarkun e Fierit.
Kryeministri Rama i njohur gjithashtu edhe me situatën e personave me aftësi të kufizuara në shkallë vendi, që përballen me afate të tejzgjatura të pritjes për t’u ankimuar e rivlerësuar në KEMPE Eprore, kërkon krijimin e 3 KEMP-eve Eprore shtesë, me vendim të menjëhershëm të Këshillit të Ministrave, për të përshpejtuar zgjidhjen përfundimtare për situatën e krijuar dhe për të shqyrtuar në afatin kohor prej dy muajve ankesat e personave me aftësi të kufizuara.
Kryeministri Edi Rama, i njohur edhe me ngadalësimin e procesit dhe mosrespektimin e afateve nga ana e mjekëve për rishkrimin e kritereve mjekësore për vlerësimin e personave me aftësi të kufizuara, urdhëron Ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Ministrin e Shëndetësisë, që: brenda muajit qershor 2015, të përfundojnë hartimin e kritereve të reja mjekësore për vlerësimin e personave me aftësi të kufizuara.
Kryeministri Edi Rama, inkurajon të gjithë qytetarët e qarkut Fier, të cilët janë në listë pritje për vlerësim të gjendjes së aftësisë së kufizuar, të drejtohen pranë Komisioneve të Vlerësimit të krijuara posaçërisht për ta, në bazë të planifikimeve të bëra nga zyra rajonale.
Gjithashtu Kryeministri Edi Rama, siguron të gjithë qytetarët, se mbi bazën e një kontrolli te vazhdueshëm do të kërkojë ndëshkim për të gjithë administratoret publik, që janë pjesë e këtij procesi, në raste konstatimi të shkeljeve, abuzivitetit apo korrupsionit.
(el.sp/BalkanWeb)