MAQEDONI- Klima e përkeqësuar politike është njëra ndër arsyet përse Qeveria dhe administrata nuk kanë qenë në gjendje ose nuk kanë pasur vullnet ti përmbushin obligimet për reformë ose të shfaqin gatishmëri për t’i planifikuar reformat e nevojshme dhe t’i realizojnë fondet e BE. Kjo ka qenë përgjigja e zëdhënëses së Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç në pyetjen se përse Komisioni Evropian, ia shkurtoi Maqedonisë 27 milionë euro nga IPA fondet.

Ajo ka vërtetuar se shkurtimi i ndihmës financiare do të jetë edhe më i madh se 27 milionë euro.

“Disa vitet e fundit, e sidomos vitin e kaluar, Komisioni Evropian disa herë e ka sqaruar brengën e deri te organet përgjegjëse lidhur me mungesën e gatishmërisë dhe pjekurisë në planifikimin e sektorëve kyç, si dhe mungesën e përkushtimit politik për realizimin e reformave sektoriale dhe të përgjithshme. Si rezultat i kësaj, Komisioni ishte i detyruar ta zvogëlojë ndihmën financiare të BE për vitin 2016, si dhe të vendos të mos vazhdojë edhe me një projekt tjetër“, ka shtuar Kocijançiç.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, po ashtu konsideron se shteti duhet të përqendrohet në masa të cilat do të sigurojnë qëndrueshmëri të investimeve të mëdha në infrastrukturë.

“Ka shumë mangësi në sektorin e transportit të cilët kanë penguar planifikimin dhe koordinimin e duhur në atë sektor”, ka përfunduar Kocijançiç.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: