Kanë kaluar gati dy muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë dhe vendi ende nuk ka institucione të reja.

Zvarritja po vjen si pasojë e mungesës së numrave për zgjedhjen e kryeparlamentarit fillimisht e më pastaj edhe votimit të qeverisë nga subjekti më i madh politik në vend, koalicionit PAN (PDK, AAK, NISMA) të cilit i takon e drejta të për mandatarin e parë që mund ta formojë qeverinë.

Por, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç, në një prononcim për Gazetën Observer, ka thënë se Kuvendi duhet të konstituohet sa më shpejt të jetë e mundur, duke u bërë njëkohësisht thirrje edhe partive politike që të respektojnë Kushtetutën e vendit.

“Ne u bëjmë thirrje që sa më shpejt që të ketë mundësi të konstituohet Parlamenti, si dhe po ashtu, partive parlamentare të veprojnë me përgjegjësi duke përmbushur obligimet e tyre që derivojnë nga Kushtetuta dhe ligjet në fuqi ”, ka thënë Kocijançiç.

Kocijançiç thekson se Kosova nuk ka kohë për të humbur dhe se institucionet duhet të formohen shumë shpejtë.

“Ne shpresojmë në formimin e Qeverisë së Kosovës. Kosova nuk ka kohë për të humbur”, është shprehur zëdhënësja e Komisionit Evropian.

Ajo ka numëruar dhe obligimet e reja që e presin Qeverinë e re, e të cilat i konsideron si esenciale në rrugën e Kosovës drejt integrimit në BE.

“Presim që Qeveria e re me formimin e saj të angazhohet menjëherë në reformat që kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit dhe ekonominë, pritjet për liberalizim të vizave dhe angazhim konstruktiv në Dialogun me Serbinë. Krejt këto janë esenciale për Kosovën që të prodhoj përparime në rrugën e saj Evropiane”, ka deklaruar Kocijançiç.

Koalicioni fitues i zgjedhjeve PDK-AAK-NISMA, as sot nuk ka marrë pjesë në seancën e thirrur nga kryesuesi i seancës, Adem Mikullovci, për konstituimin e organeve të Kuvendit, ndërkohë që partitë tjera, presin që PAN të ndërroj kandidatin për kryetar të Kuvendit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb