Zëdhënësja e Komisionit Europian, Maja Koçijançiç i ka dërguar sot një mesazh të fortë Lulzim Bashës, në ditën e tretë të protestave. Kujtojmë se Basha është shprehur se ka mbështetje ndërkombëtare për protestën, por duke folur në emër të KE për TVSH-në, Koçijançiç, duket se është kundër bojkotit të Parlamentit.

Ajo u shpreh se, KE mbështet vetëm debatin politik në Parlament dhe jo atë jashtë tij që vetëm përkeqëson klimën politike.

Cili është qëndrimi i Komisionit Europian lidhur me kërkesat e opozitës? Siç e dini ka një grevë, u organizua një protestë kombëtare dhe kryetari i PDsë, Basha, thotë se gëzon mbështetjen e ndërkombëtarëve në kërkesat për largimin e kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie teknike deri në zgjedhje, përfshirë dhe çështjen e votës elektronike, në të kundërt deputetët e pakicës bojkotojnë Kuvendin, për pjesën e mbetur të punimeve.

Maja Koçijançiç, Zëdhënëse e KE:
“Për ne, debati politik duhet të zhvillohet brenda parlamentit dhe jo jashtë tij. Polarizimi i mëtejshëm i arenës politike do të ishte vetëm kundër-produktive për ambicjen e Shqipërisë për t’iu bashkuar Unionit Europian, madje edhe për avancimin në rrugën e saj europiane. Për këtë arsye, është e rëndësishme të tregohet vazhdimësia e parlamentit në një moment kyç, kur diskutohen e miratohen ndryshimet, në veçanti ato që lidhen me reformën e drejtësisë. Këto ndryshime kanë rëndësi thelbësore për të siguruar progresin e mëtejshëm të Shqipërisë në rrugën drejt BEsë dhe siç e mbani mend, Komisioni rekomandoi në Nëntor nisjen e bisedimeve të anëtarësimit, subjekt i zbatimit të prekshëm e të besueshëm në reforma specifike dhe pikërisht reforma e drejtësisë është ajo që kam në ndërmend”.

Nisur nga përgjigja teknike e menjëhershme e kabinetit të Komisionerit Hahn ndaj letrave të dy ministrave të LSIsë mbi Bordin e Menaxhimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, siç është publikur në Tiranë, si ndikojnë këto qëndrime në mardhëniet me vendin? A parashikohet vizitë në Tiranë? Kur do mbahet tryeza e radhës e dialogut të nivelit të lartë?

Maja Koçijançiç, Zëdhënëse e KE:
“Komisioneri Hahn ka marrë disa letra në të vërtetë dhe u është përgjigjur atyre. Siç e dini ngritja e bordit për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit është diçka e diskutuar thellësisht në detaje me qeverinë shqipëare. Është dhënë shumë informacion mbi këtë dhe është ngritur në përputhje me legjislacionin përkatës dhe Kushtetutën e Shqipërisë dhe detyra e bordit është për të monitoruar procesin. Pra, është tejet e qartë dhe transparente. Reforma në vetvete është sfiduese dhe për këtë arsye, Bashkimi Europian vahdon mbështetjen e tij për punën sa i takon reformës në drejtësi. Për momentin, mund të them se me Tiranën vazhdojnë kontaktet e rregullta me shumë intensitet.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: