Azdren Llullaku muajin e kaluar kompletoi transferimin e tij nga rumunët e Gaz Metan te kazakët e Astanës, duke mbyllur një periudhe të suksesshme te ish skuadra e tij. Mirëpo momentalisht ai nuk mund të jetë i gatshëm për ekipin kazak. Një situatë e panevojshme për shqiptarin e cila erdhi nga ekipi që u aktivizuar për katër vite. Gaz Metan ka bërë një ankesë zyrtare në FIFA për largim të parakohshëm të sulmuesit te një skuadër tjetër. Për këtë, Gaz Metan ka kërkuar një dëmshpërblim prej 200 mijë eurosh nga Llullaku.

Mediat rumune kanë ngritur alarmin se shqiptari ka një çështje ende të pazgjidhur me Gaz Metan. Sipas “Prosport.ro”, ish-skuadra e sulmuesit të Kombëtares ka bërë një kërkesë kundrejt tij për të përfituar 200 mijë euro. Në lidhje me këtë pagesë, ata e kanë dërguar çështjen e tij në FIFA me pretendimin se Llullaku ka shkelur kontratën në mënyrë të njëanshme dhe se për këtë i duhet të dëmshpërblejë rumunët.
Në momentin që Llullaku ka negociuar me Astanën, ka qenë vetë faqja zyrtare e Gaz Metan që ka bërë me dije se shqiptari ka nënshkruar për dy vite me kazakët, pas një periudhe prej katër vitesh që ka kontribuuar me rumunët.

Në lidhje me këtë çështje, i gjendur në një situatë të vështirë, vetë Llullaku nuk flet shumë. Sulmuesi i Kombëtares e ka pranuar çështjen e ngritur nga Gaz Metan, por është shprehur shkurt se e drejta është në anën e tij.

“Unë kam pasur klauzolë në kontratë që mund të largohesha si futbollist i lirë nga Gaz Metan Medias. Është thjesht një humbje kohe që të krijohet një situatë e tillë”, ka deklaruar Asdren Llullaku për “panorama sport”.

Me kalimin në Kazakistan, Llullaku përfitonte një pagë prej 40 mijë eurosh në muaj, katërfish më shumë sesa në Rumani, që ishte 4 mijë euro. Muaj e fundit mediat rumune kanë raportuar se Gaz Metan nuk kishte qenë e rregullt me lojtarët, duke mos shlyer detyrimet.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb