TIRANE- Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i është përgjigjur kryeministrit Rama për atë që ai e quan propozim për kompromis në lidhje me çështjen e vettingut.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Basha thotë se ky propozim konfirmon qëndrimin e opozitës, se Rama përmes ndryshimeve në këtë ligj të vettingut të sjellë prej tyre, synonte të kapte sistemin e drejtësisë.

Kryedemokrati thotë se ligji i vettingut, i arritur sipas frymës dhe përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut, do të votohet pas krijimit të qeverisë teknike.

STATUSI I BASHES

Sot Kryeministri në ikje na propozoi të gjejmë një kompromis me shtyrjen e vetingut. Kjo është një tjetër dëshmi se për Edi Ramën drejtësia dhe reforma në drejtësi kanë qenë dhe mbeten vetëm një mjet pazaresh, shantazhi dhe imazhi. Kurse për ne drejtësia është themeli që garanton lirinë dhe demokracinë, mbi të cilin do të ngrihet shteti modern shqiptar.

Ne jemi për vetingun, më 21 korrik votuam vetingun dhe do ta çojmë deri në fund vetingun. Ne kemi refuzuar vetingun e Edi Ramës sepse duam një veting të vërtetë, të pakapur nga politika dhe të paanshëm. Menjëherë pas formimit të qeverisë që do të garantojë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, ne jemi të gatshëm të votojmë ligjin për zbatimin e vetingut sipas frymës dhe përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut.

Krimi qeveritar do të përballet me drejtësinë e pavarur, ata që e kthyen Shqipërinë në republikë të drogës dhe korrupsionit do të përballen me drejtësinë e vërtetë.

Mbi të gjitha, zgjedhjet e lira do të hapin rrugën për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe një demokracie perëndimore në Shqipëri. Liria, drejtësia dhe kontrolli mbi pushtetin do të jenë themeli i Republikës së Re. #NgrihemiBashke #ZgjedhjeTeLira #RepublikaeRe.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb