Pas spekulimeve tashmë gjithçka është e konfirmuar. Presidenti i Juventusit do të thirret nga Komisioni i Antimafias për të dëshmuar për lidhjet e klubit me klanin mafioz të “Ndragheta”.

Sot është zvvilluar një tjetër seancë ku në epiqendër të diskutimeve ka qenë Juventusi dhe lidhjet e klubit me ultras që janë pjesë e familjeve mafioze. Si përfundim, u mor vendimi që presidenti i klubit bardhezi, Andrea Anjeli, do të paraqitet para komisionit në fjalë për të dhënë dëshminë e tij.

“Ekziston gatishmëria e plotë nga ana e presidentit tonë për t’u paraqitur dhe për të dhënë kontributin e tij”, deklaroi avokati i Juventusit, Luigi Kiapero. “Kemi sqaruar që ai do të vijë këtu, pasi nuk e kishim saktësuar asnjëherë”, konfirmoi edhe Rozi Bindi, presidente e këtij komisioni parlamentar në fund të mbledhjes.

Gjithçka ka lidhje me shpërndarjen e biletave të “Juventus Stadium” të cilat klubi bardhezi ua dorëzonte krerëve të grupeve ultras, që kanë lidhje me grupet kriminale të “Ndragheta” në këmbim të sigurisë në impiant.

“Ne na shqetëson fakti që ju e mohoni fenomenin, ai është dhe ekziston. Tani a vazhdoni t’ua jepni më biletat apo jo?”, ishte pyetja që Rozi Bindi i bëri sot avokatit të Juventusit, ndërsa ky i fundit e mohoi që kjo praktikë të ishte zhvilluar. Seanca të tilla do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, pasi përveç Anjelit, pritet që para komisionit të paraqiten edhe zyrtare të tjerë të lartë të klubit bardhezi.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb