NGA: Aurenc Bebja*, Francë
“Le Figaro” ka botuar, të enjten e 5 marsit 1914, në ballinë, një shkrim në lidhje me konfliktin e autorësisë së pullës së re postare artistike të heroit kombëtar shqiptar, Skënderbeut të famshëm. Cilat kanë qenë palët e përfshira në këtë konflikt ? Aurenc Bebja, nëpërmjet faqes së tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, ka sjellë rrëfimin e plotë të prestigjiozes franceze mbi këtë ngjarje: Për Filatelistët “Ne njoftuam, ditën e kaluar, lëshimin e një pulle të re postare nga mbretëria e re e Shqipërisë. Kjo pullë e re ofron një imazh shumë artistik të heroit kombëtar shqiptar, Skënderbeut të famshëm.
image
Dhe ky portret ka një histori, e cila është:
Disa vite më parë, një skulptor medaljesh i talentuar, Heinrich Kautsch, mori përsipër, pas kërkesës së një komiteti revolucionar shqiptar, krijimin e një medalje që synonte të shërbente si model për monedhën e një republike të ardhshme shqiptare. Revolucioni dështoi, por medalja u ruajt me kujdes nga udhëheqësit shqiptarë dhe u bë kështu prototipi i pullës së re.

Por, medalisti, Z. Kautsch, nuk u shqyrtua për këtë transformim të veprës së tij, dhe sigurisht ndihet i pakënaqur. Revista filatelike franceze thotë se ai mund të “pretendojë autorësinë e pullave postare aktuale të Shqipërisë” dhe Z. Henri Kautsch shkruan se ai ka parashtruar një ankesë, në bazë të së drejtës së autorit, pranë qeverisë shqiptare.

Shteti i ri mund të mos ketë ende një legjislacion të plotë mbi pronën artistike. Kjo, për atë, është një mundësi e shkëlqyer prove, nëse i jep të drejtë Z. Kautsch, që të tregojë se ai është i denjë të ushtrojë sovranitetin e pavarur, që Evropa i ka dhënë atij !”
Burimi: https://www.darsiani.com/la-gazette/le-figaro-1914-konflikti-i-autoresise-per-pullen-e-re-postare-artistike-te-heroit-kombetar-shqiptar-skenderbeut-te-famshem/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: