MIRDITË- Policia e Mirditës ka vënë në pranga një 30-vjeçar që pas një konflikti me fqinji e ka kanosur dhe ka qëlluar me breshëri automatiku në ajër. Sipas të dhënave zyrtare më 6 gusht, në orët e vona të darkës, është marrë njoftim te Salla e Komandimit Mirditë, se te banesa e shtetasit L.M. 24 vjeç, në fshatin Shtuf, në Kaçinar – Mirditë, një person po qëllon me armë zjarri.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet policore, ku kanë filluar hetimet për zbardhjen e ngjarjes e kapjen e autorit.

Nga veprimet hetimore të kryera, ka rezultuar se shtetasi Vitor Gjoka, 30 vjeç, banues në fshatin Shtuf, në Kaçinar – Mirditë, pas një konflikti verbal e më pas fizik, për motive të dobëta me shtetasin L.M., ka qëlluar me armë zjarri në afërsi të banesës së këtij të fundit dhe më pas është larguar duke u fshehur.

Në vijim të një pune policore të bazuar në informata të marra në rrugë policore për lokalizimin e autorit, si dhe një operacioni të mirëorganizuar krehje zone, dje është bërë e mundur kapja në flagrancë e shtetasit Vitor Gjoka, së bashku me armën e zjarrit me të cilën dyshohet se ka qëlluar.

U sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik, një krehër dhe 48 fishekë.

Shtetasi Vitor Gjoka, u arrestua në flagrancë për veprat penale “Kanosje” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprime të mëtejshme.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb