Gjatë Kongresit Elektoral të Partisë Socialiste ditën e sotme në qytetin e Durrësit, Ministri i Financave Arben Ahmetaj, foli për programin e PS se çfarë pritet të bëhet nëse qeveria Rama fiton një mandat të dytë.

Ahmetaj tha se në 4 vitet e ardhshme qeveria do të synojë të rrisë ekonominë me 5.5% dhe do të ulë borxhin publik me 60%.

“Do të rrisim ekonominë me 5.5%, dhe do të garantojmë uljen e borxhit publik nën 60%. Rritja e të ardhurave për çdo qytetar shqiptar do të bëhet me 25%,” tha Ahmetaj.

Ministri i Financave gjithashtu u shpreh se paga minimale nuk do të jetë më 24 mijë lekë, por 30 mijë, nga e cila do të përfitojnë 315 mijë qytetarë.

“Garantojmë rritjen e të ardhurave të disponueshme për çdo qytetar shqiptar me 25%. Do të ketë 220 mijë vende të reja pune në mandatit e dytë, gjë që do të ulë papunësisë në nivelin 1 shifror. Do të kemi rritur pagat e të gjithë punonjësve buxhetorë me 40%. Paga minimale do të jetë 30 mijë lekë, do përfitojnë 315 mijë qytetarë. . Tatimi për biznesin e vogël do të jetë 0. Do mbështesim bujqësinë, do përjashtojmë nga TVSH ato inpute që kanë kërkuar fermerët,” tha Ahmetaj.

FJALA E PLOTË

Ndërsa po fokusohesha tek fillimi i fjalës time, një gjë më erdhi në mend për shkak të historisë së kësaj partie. Këtu shoh jo tre, po katër gjenerata, duke filluar që nga profesor Serveti dhe tek ata studentët që kanë pasur në AND-në e kontributit të tyre bërjen shtet dhe sot, kjo parti është fokusuar tek shtetbërja, shtetforcimi dhe tek shteti për qytetarët.
Kjo parti më shumë se një herë ka shpëtuar këtë vend, këtë shtet, nga falimentimi në ’97 dhe në 2013.  Dua t’ju garantoj të gjithëve që ky është një program i mirëmenduar dhe i mire-kalkuluar dhe nuk është një përrallë për të gënjyër shqiptarët, por përkundrazi është një platformë që na çon në të ardhmen të sigurtë.
Ne do të garantojmë në mandatin tonë të dytë një rritje prej 5.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Do të kalojmë nga fazat e para të vlerës së shtuar në industrializimin e lehtë të vendit për të lënë më shumë vlerë të shtuar për qytetarët, për ekonominë dhe patjetër për buxhetin e shtetit.
Refomat, reforma në drejtësi, do të jetë fokusi në mandatin tonë të dytë dhe drejtësia garanton shtet, punë, mirëqënie.
 
Ne do të mbajmë investimet publike në niveln 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto që do të thotë vetëm nga buxheti i shtetit në mandatin e dytë do të investojmë 2.8 miliardë euro dhe këtu pa përfshirë paketën prej 1 miliardë dollarësh të hedhur nga Kryeministri vetëm pak muaj më parë.
 
Ne arritëm që në mandatin e parë të çonim investimet e huaja në 1 miliardë dollarë. Në fund të mandatit të dytë investimet e huaja do të shkojnë 2 miliardë dollarë. E gjitha kjo do të bazohet në një platformë konsolidimi fiskal.
Kjo parti nuk ka keqmanaxhuar kurrë financat publike. Është herë e parë në një vit parlamentar që defiçiti buxhetor nuk ekziston, jemi në sufiçit dhe për herë të pare, të ardhurat tatimore dhe doganore nuk janë ulur, por kanë ardhur vetëm në rritje. Në të njëjtën kohë ne garantojmë në mandatin e dytë uljen e borxhit publik, kësaj gangrene në kurriz të qytetarëve, nën 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
 
Ne garantojmë rritjen e të ardhurave të disponueshme për çdo qytetar shqiptar me 25 për qind.
Do ta ritheksoj, ne garantojmë 220 mijë vedne të reja pune mandatin e dytë dhe ulim për herë të parë papunësinë në nivelin një shifror.
 
Është për t’u theksuar dhe me këmbëngulje që Reforma në Drejtësi do të bëjë të mundur, uljen e papunësisë, më shumë punë, më shumë mirëqenie, më shumë shtet.
Në fund të mandatit do kemi rritur me 40% pagat e të gjithë punonjësve buxhetorë. Do të rrisim pagën minimale në 30 mijë lek. Ne tani sa rritëm pagën minimale në 24 mijë lek, me 9% dhe në fund të mandatit do ta kemi rritur në 30 mijë lek për të thënë në shifra konkrete do të përfitojnë 315 mijë qytetarë, rreth 22.5 miliardë lekë nga kjo rritje page.
 
Politikat fiskale do të vazhdojnë të synojnë lehtësimin e ngarkesës për qytetarët. Progresiviteti, kush punon më shumë paguan më shumë do të jetë i konsoliduar ashtu siç ishte që në mandatin e parë dhe tatimi mbi fitin do të vazhdojë të jetë zero ashtu sic premtoi Kryeministri 4 vjet më parë.
Tatimi mbi fitimin për bizneset nën 8 milionë do të jetë 5 % ashtu si premtoi Kryeministri 1 vit më parë.
Do të mbështesim bujqësinë, do të heqim TVSH për inputet bujqësore, do të përjashtojmë nga TVSH-ja, inputet që kanë kërkuar fermerët, plehërat kimike, pesticidet, farat, fidanët, një ndihmesë prej 2.2 miliardë lekë në vit për fermerët.
 
Do të ulim tatim fitimin nga 15% në 5% për tatim fitimin për kompanitë prodhuese te Teknologjisë së Informacionit dhe për ta kthyer Shqipërinë në një vend që prodhon për Teknologjinë e Informacionit dhe tërheq investime prestigjoze nga rajoni dhe nga bota.
Në të njëjtën kohë ka një ndihmë për familjet e reja, ka një paketë të tërë për të ndihmuar familjet e reja, në funksion të përmirësimit demografik dhe njohja si shpenzime të zbritshme të interesave të kredive që marrin për shtëpitë e para do të jetë që në muajit e para të fillimit të mandatit.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb