Nga LUAN RAMA
Paradoksalisht gjendemi në një situatë anormale, krijuar prej anormalitetit  dhe papërgjeshmërisë politike.

Klima politike është e tensionuar. Reformat e rëndësishme, përkatësisht reforma zgjedhore dhe reforma në drejtësi janë bllokuar, ndërkohë që besimi qytetar te politika ka pësuar rënie alarmante.

Në këtë kontekst pyetja e parë është: A e kemi luksin të mendojmë si në kushte normale? Më drejtpërdrejtë kjo do të thotë: A shërben më si përligjje parimi, Kushtetuta?

Kaq ardhur puna që situata nuk zgjidhet më me “kush ka të drejtë”. Pyetja e vërtetë është: Kush do ta shpëtojë vendin dhe si?

Situatat e jashtëzakonshme nuk zgjidhen me mjete të zakonshme. E ne, praktikisht në aspektin politik, por edhe institucional e funksional të tyre, jemi në situatë të jashtëzakonshme. E tillë përkufizohet jo një situatë që prodhon konflikt, siç jemi mësuar për fat të keq rëndom në historinë tonë të afërt, por një situatë në të cilën një krizë prodhon tjetrën. Kriza e bashkëpunimit mazhorancë-opozitë apo opozitë-mazhorancë prodhoi krizën politike. Kriza politike, e ushqyer edhe prej mosbesimit e retorikës përjashtuese e konfliktuale, prodhoi bllokimin e vetingut, ndërkohë që kriza e vetingut dhe instrumentalizimi i vetingut si mjet kërcënimi për tjetrin po prodhon deligjitimimin e institucioneve të drejtësisë edhe mund të na çojë në një kolaps fatal të tyre. Për këtë shkak, sot sistemi i drejtësisë është i çoroditur, më e pakta. Dhe i gjithë ky deligjitimim prodhon krizë institucionesh, krizë sistemi, krizë zgjedhjesh. Praktikisht kemi përpara kriza evidente: krizë mospjesëmarrjeje, krizë Presidenti, krizë përfaqësimi.

Përgjegjësia e mazhorancës, pra edhe e jona si pjesë e kësaj mazhorance, është ta evitojë, ta neutralizojë dhe ta zgjidhë krizën. Si? Mund të pyesni ju me të drejtë. Edhe kështu si ju mund të pyesin edhe qytetarët.

Dialogu mbetet rruga e vetme. Dialogu dhe kompromisi që vjen prej tolerancës së dyanshme.

Edhe Selia e Shenjtë, përveç Konklavës që është një “Parlamenti i mbyllur” që nuk del jashtë sallës deri sa të ketë krijuar shumicën për të zgjedhur Papën, ka një mjet rezervë që është Konvokimi. Konvokimi është kur palët merren vesh jashtë për një emër dhe thonë “zgjidhet filani” dhe të gjithë thërrasin njëzëri emrin e tij. Pra Konvokim do të thotë mbivotim ose konsensus.

Pra kur Konklava (Parlamenti i Kardinalëve) hyn në krizë dhe nga oxhaku  nuk del tym i bardhë braktiset “Kushtetuta” dhe hyn në fuqi Konvokimi.

Benito Musolini kishte një slogan: “Ne jemi të vendosur të shkojmë gjithnjë përpara”. Ata që janë marrë me studimin e historisë së totalitarizmit pohojnë se dështimi erdhi sepse nuk u bë asnjëherë pyetja: Mirë të vendosur të shkojmë gjithnjë përpara, po në kthesa?!

Zgjedhjet nuk janë çështje formale, janë çështje përmbajtjesore. Politika është arti i së mundshmes dhe arti i të bërit politikë është arti i zgjedhjes së prioriteteve. Sipas kësaj logjike kush janë prioritare, zgjedhjet apo pushteti i përkohshëm?

Opozita e ka maksimalizuar kërkesën e vet. Kjo është e drejta e saj. Ajo kërkon qeveri teknike, por në thelb kupton dhe artikulon një qeveri pa Edi Ramën. Pra, një qeveri tjetër e së majtës mund të ishte një zgjidhje kompromisi. Edi Rama mund ta “shkelë” statutin e PS-së që përcakton Kryeministër kryetarin, pikërisht në emër të Kushtetutës që kërkon qeveri të shumicës si shprehje të vullnetit të shumicës që pa LSI-në nuk do të ishte dot e tillë. Çfarë sakrilegji mund të jetë një qeveri tjetër e së njëjtës shumicë që të gjenerojë besim se zgjedhjet do të jenë më në fund realisht të ndershme, të drejta e të barabarta, përfundimisht të pakontestuara më në fund në Shqipërinë e vitit 2017, anëtare e NATO-s dhe aspirante për në BE.

Ka vdekur koha e Konsekuencës. Konsekuenca e verbër të çon në greminë.

Mazhoranca jonë e ka detyrim, e ka përgjegjësi politike, edhe kushtetuese gjithashtu, të bëjë të gjitha përpjekjet për të mos lejuar që vendi të shkojë në drejtime të panjohura, të pakontrolluara dhe me pasoja të paparashikueshme.

Duke ju referuar një njeriu shumë të nderuar, shkrimtarit Zija Çela, më lejoni të perifrazoj teksa iu drejtohej edhe Edi Ramës edhe Lulzim Bashës për nevojën e dialogut mes tyre. Por, “nëse lëviz vetëm njëri, ndërkohë që tjetri s’tundet nga vendi, pritja deri sa i vetmi ta përshkojë të gjithë rrugën do të jetë e gjatë”. Po Shqipëria jonë nuk mund të presë aq gjatë. Prandaj është e udhës të ulen së bashku në tryezën e bisedimeve dhe të negociojnë zgjidhjen e krizës. Më pas, si rezultat i bisedimeve mund të vijnë edhe heqjet dorë nga kjo apo nga ajo tezë, mund të vijnë edhe dorëheqjet ose edhe dorështrëngimet. Por në vend që të takohen ata vazhdojnë të gjuhen me fjalë në distancë.

Filozofi bashkëkohës Kierkegaard thotë: mendja është si një parashutë, nëse hapet në momentin e duhur të shpëton, ndryshe e ke kot. Edhe çadra është një parashutë. Por, edhe mendja e mbyllur për alternativë është njësoj si parashuta e Kirkegaard-it.

Vendi ka nevojë për zgjedhje, zgjedhjet kanë nevojë për zgjidhje. Zgjidhjet i ofrojnë udhëheqësit, jo udhëmbyllësit.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb