Ngërçi i kontratave te Kukësi tashmë po fillon dhe po jep efektet e veta. Një nga lojtarët më të mirë të klubit verilindor ka vendosur të largohet nga Kukësi, bëhet fjalë për Izair Eminin, i cili një javë më parë i ka bërë me dije presidentit të Kukësit Safet Gjici, që për shkaqe familjare, dëshiron të largohet nga Kukësi, pasi i ka përfunduar dhe kontrata.

Emini ka bërë të gjitha kërkesat sipas pikave të kontratës për t’u larguar, ndërsa klubi më datë 20 korrik, fill mbas ndeshjes me Sherif Tiraspol, ka depozituar një kontratë në Federatën Shqiptare të Futbollit, sipas së cilës sulmuesi shqiptar nga Maqedonia ka dhe një vit kontratë me klubin verilindor.

Kjo gjë nuk është pranuar nga lojtari, i cili ka shkuar personalisht në FSHF ku ka marr dijeni për atë çka është firmosur apo shkruar në emër të tij. Zyrtarë të federatës, para ndeshjes me Sherif Tiraspolin, i kanë thënë lojtarit se ai është i lirë, por mbas depozitimit të kontratës nga ana e klubit, përgjigja e tyre ka qenë e kundërt, këtë gjë e thonë burime të afërta me lojtarin për gazetën.

Klubi i ka bërë njoftimin lojtarit për të marrë pjesë në stërvitjen e parë të ekipit mbas Kupave të Europës, por lojtari ka refuzuar të marrë pjesë në të. Nga ana tjetër, Emini, me këtë gjest ka konfirmuar se ky është dhe fundi i marrëdhënies së tij me klubin e Kukësit. Gazeta zbulon në mënyrë ekskluzive se Emini ka rënë dakord me Shkëndijën e Tetovës dhe se sezonin e ri do të jetë futbollist i tyre.

Ndërsa vetë lojtari iu ka bërë thirrje krerëve të klubit verilindor se për atë çka ai ka dhënë te Kukësi, dhe për respektin që palët kanë gëzuar midis njeri-tjetrit, mirë do ishte që të ndaheshin me mirëkuptim, jo me gjyq, por klubi nuk e ka përfillur kërkesën dhe dëshirën e lojtarit për t’u larguar dhe nuk ka reaguar, duke iu përgjigjur se ai ka kontratë me Kukësin dhe për një vit dhe duhet që ta zbatojë atë, ndërsa lojtari dhe avokati i tij pretendojnë katërçipërisht të kundërtën, duke pasur të gjitha letrat në dorë.

Nëse klubi nuk do i japë lejen e kalimit lojtarit, atëherë zyra juridike që ka kontraktuar lojtari do ta hedhë Kukësin në gjyq në institucionin më të lartë botëror të futbollit, FIFA, pasi lojtari ka zbatuar të gjitha pikat e kontratës me përpikmëri, ndërsa klubi ka depozituar një kontratë në federatë, të cilën lojtari nuk e ka firmosur, pasi kjo gjë vërtetohet nëpërmjet doganës që tregon se lojtari është larguar më herët nga Shqipëria sesa të vendosej firma në kontratë.

Nga ana tjetër, kontrata ka qenë pa një ditë fillimi dhe përfundimi, për të cilën mbrojtësit ligjorë të lojtarit pretendojnë se ajo është e paligjshme, pasi kontrata ka një datë fillimi dhe një datë përfundimi, e cila është kontrata reale që palët disponojnë, ajo që ka klubi dhe lojtari dhe që është në federatë, në të cilën lojtarit i ka përfunduar afati punëdhënës-punëmarrës midis klubit dhe vetë atij.

Ndaj kjo çështje, nëse nuk zgjidhet me mirëkuptim, do të shkojë në zyrat e FIFA-s, pasi Emini është shtetas maqedonas, para se të jetë shqiptar.

REAGIMI
Ndërsa vetë lojtari në një prononcim për “Panorama Sport”, u shpreh: “Unë jam lojtar i lirë, pasi kontrata e rregullt që unë kam firmosur me F.K Kukësin më ka përfunduar me skualifikimin nga Kupat e Europës. I kam kërkuar drejtuesve të klubit që të më japin lejen e kalimit, pasi dëshiroj të largohem nga Shqipëria, sepse kam probleme familjare.

Pastaj, arsyeja tjetër është se e shikoj veten diku tjetër larg nga klubi i Kukësit. Kam kaluar një periudhë mjaft të mirë aty, e falënderoj shumë të gjithë ambientin sportiv në Kukës, sidomos tifozët që më kanë respektuar dhe dashur pa masë, por kontrata ime aq kohë ishte. Jam i bindur se për një vit e gjysmë kam bërë maksimumin për të ndihmuar ekipin duke fituar tre trofe dhe duke pasur një ecuri të mirë edhe në Kupat e Europës.

Për të gjitha çka unë kam bërë te Kukësi, nuk duhet që gjërat të kalojnë në instanca të tjera, por të zgjidhen me mirëkuptim. Personalisht i kam ezaurar të gjitha thirrjet dhe bisedat me krerët e klubit, ndërsa ata më kanë ngarkuar me një kontratë tjetër që nuk është e ligjshme dhe as e moralshme.

Nëse nuk do merremi vesh me mirëkuptim do e ankimoj çështjen në FIFA nëpërmjet zyrës juridike që kam kontraktuar, por shpresoj mos të shkojë deri atje kjo çështje, pasi më fund do vërtetohet kush ka të drejtë”, përfundon Emini për gazetën. Të njëjtën problematikë si të Izair Eminit, e ka dhe Enea Koliçi e Nijaz Lena te Kukësi./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: