Rrugëtimi i Skënderbeut nga Shkupi në Korçë nuk ka kaluar aq paqësisht. Përtej sjelljes së mirë të policive që kanë shoqëruar ekipin, ka pasur edhe momente tensioni. Madje, ka shkuar deri te kërcënimet. Në vijim të rrëfimit të dhënë një ditë më parë ekskluzivisht për “Panorama Sport” nga Ilirjan Përmeti, dje kanë dalë të tjera fakte. Ka qenë vetë drejtori i klubit që ka zbuluar se policia ka ushtuar presion ndaj shoferit, i cili ishte shqiptar nga Maqedonia, kur ky i fundit ka tentuar që të ndalë autobusin.

“Në vijim të deklaratës që dhashë të premten në darkë, mund të shtoj se sjellja e policëve ka qenë e pambështetur. Nuk kishin asnjë shkresë që ‘urdhëronte’ shoqërimin tonë. E megjithatë, klubi ynë ka ruajtur qetësinë në çdo moment dhe për këtë dua t’i përgëzoj të gjithë për durimin e treguar. Ishte një sjellje e paimagjinueshme dhe gjithçka ndodhi nuk kishte asnjë shkak. Madje, në një moment menduam t’i drejtoheshim Ambasadës Shqiptare në Shkup që të ndërhynte, pasi vetëm ata mund t’i jepnin zgjidhje këtij problemi të stisur nga maqedonasit. Por nuk e bëmë një gjë të tillë, pasi nuk donim që të humbisnim më shumë kohë. Hoqëm dorë, pasi donim që të përqendroheshim te përgatitjet për ndeshjen e 24 gushtit. E rëndësishme është që nuk ishte një trajtim që meriton një ekip futbolli. Jemi të çuditur dhe të indinjuar nga ajo që ndodhi”, u shpreh fillimisht drejtori.

KËRCËNIMET
Përmeti shpjegon se presidenti Ardjan Takaj do të ankohet në instancat tona për këtë ngjarje, por njëherësh tregon me detaje tonet kërcënuese të policëve ndaj shoferit. “Sapo kemi mbërritur në Korçë, kemi vënë në dijeni edhe presidentin. Tashmë është ai që do të merret me këtë çështje. Ai do të njoftojë instancat përkatëse të shtetit tonë dhe do të kërkojë në rrugë zyrtare një përgjigje për formën çnjerëzore që u trajtuam. Sikur të mos mjaftonte kjo, ajo që na shqetësoi më shumë ishte toni i lartë dhe fjalori kërcënues i patrulluesve. Kërcënimet iu bënë shoferit të autobusit, i cili ishte shqiptar nga Maqedonia. Ne e kishim kontaktuar atë përmes agjencisë, që të na shoqëronte në këtë udhëtim, nga Shkupi drejt Doganës së Qafë-Thanës. Policët i janë drejtuar me kërcënime atij, pasi ndaluam në një moment për të ngrënë bukë dhe për të pirë ujë sepse rruga ishte e gjatë.

‘Përse ndalove ti? Kush të dha urdhër të ndalosh? Do e shikosh se çfarë do të të ndodhë pasi të kthehesh nga ky udhëtim. Do të merremi ne me ty’, me këto fjalë i janë drejtuar policët maqedonas shoferit. Dhe për të gjithë ne këto janë kërcënime të pastra. Kurrsesi nuk është e pranueshme që kjo të ndodhë në futboll. Ndaj, dua ta përsëris, që falënderimi shkon për të gjithë lojtarët dhe stafin, pasi treguan qetësinë absolute, në një situatë të vështirë. Tani janë instancat tona që do të merren me këtë çështje. Ne do të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës”, përfundoi Përmeti.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb