PRISHTINE- Qeveria e Kosovës pritet të zgjerojë listën e zyrtarëve serbë, që do t’u ndalohet hyrja në Kosovë, për shkak të krimeve dhe spastrimit etnik të shqiptarëve gjatë luftës së vitit 1999.

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, tha për Top Channel se pas Vojisllav Sheshelit dhe Lubisha Dikoviqit, lista mund të zgjerohet në varësi të argumenteve për zyrtarë të tjerë, ndërsa ka ftuar institucionet e drejtësisë të mbledhin argumente për të ngritur padi.

“I lutem Prokurorisë së Kosovës, institucioneve të rendit, Ministrisë së Brendshme, që të bazohen edhe në fakte e raporte, që të fillojnë procese gjyqësore ndaj personave, në mënyrë që të mos ndodhë vetëm ndalimi i tyre, por arrestimi. Madje, edhe kërkimi nëpërmjet INTERPOL-it i këtyre personave”, ka thënë Selimi, shkruan “tch”.

Çdo zyrtar serb që dëshiron të hyjë në Kosovë, sipas marrëveshjes së Brukselit, duhet të kërkojë leje 48 orë përpara nga Prishtina zyrtare. Për shkak të mosrespektimit të kësaj marrëveshjeje, Selimi ia ka ndaluar hyrjen në Kosovë për një kohë të pacaktuar shefit të zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç.

“Ne si Ministri e Jashtme kemi kërkuar edhe prej ministres së Dialogut, Edita Tahiri, por edhe nga kryeministri Isa Mustafa që të qartësojnë me palën tjetër në dialog këto kushte, sepse kemi parë se ka pasur keqpërdorim herën e kaluar. Nuk do të duhej që barra mbi të tilla vendime t’i takojë vetëm Ministrisë së Jashtme, në kohën kur marrëveshja në Bruksel mund të keqpërdoret për propagandë negative, apo për cenim të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, theksoi Selimi.

Pavarësisht deklaratave kundër shtetësisë së Kosovës, Qeveria në Prishtinë ka vendosur të lejojë, që serbët e Kosovës të votojnë në komunat e tyre për zgjedhjet e parakohshme të Serbisë, javën e ardhshme më 24 prill.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: