Kuvendi i Kosovës, nuk ka arritur as të sot të zgjedh kryetarin e Kuvendit dhe nënkryetarët, pasi në sallën e Kuvendit, nuk kanë qenë të pranishëm deputetët e koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismas [PAN]. Aty nuk kanë të pranishëm as deputetët e komuniteteve pakicë.

Të pranishëm në këtë seancë kanë qenë deputetë e Lëvizjes Vetëvendosje ata të koalicionit ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re, dhe Alternativës [LAA].

Kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, deputeti Adem Mikullovci tha para 61 deputetëve të pranishme, se në mungesë të deputetëve nga koalicioni PAN, seanca ndërpritet dhe do të vazhdojë një ditë tjetër.

Në një takim konsultativ, të mbajtur të mërkurën, përfaqësuesit e koalicionit PAN, kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në seancën e sotme konstituive, për siç kanë thënë, thirrjes arbitrare të saj nga ana e kryesuesit.

Koalicioni PAN po synon që të ket;ë 61 vota e më tepër, si për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, ashtu edhe për Qeverinë e re.

Por, deri me tash ky koalicion nuk ka dëshmuar se ka numrin e mjaftueshëm të votave.
Në përpjekje për të siguruar votat e mjaftueshme, kandidati për kryeministër i koalicionit PAN, Ramush Hardinaj ka pasur takim me kryetarin e partisë Aleanca Kosova e Re, Behgjet Pacolli.

Zyrtarët e AAK-së kanë thënë se takimi i zhvilluar ka qenë konstruktiv, por nuk kanë pohuar nëse kanë marr një konfirmim nga AKR-ja se do të votojë të nominuarin për kryetar të Kuvendit nga PDK-ja, Kadri Veseli.

Sipas Kushtetutës, “Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit”.

Në këtë rast, Partisë Demokratike të Kosovës i takon ta propozojë kandidatin për të parin e Kuvendit të Kosovës.

Kadri Veseli, i cili është kryetari PDK-së, për Lëvizjen Vetëvendosje është kandidat i papranueshëm dhe siç janë deklaruar ata nuk do ta votojnë në asnjë rast.

Pa zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, nuk do të mund të vazhdohet me asnjë procedurë tjetër rreth formimit të institucioneve.

Në rast të zgjedhjes se kryetarit të Kuvendit, më pas fillon faza prej 15 ditëve për formimin e Qeverisë.

Në bazë të rezultatit të zgjedhjeve, kjo e drejtë i takon koalicionit PAN (PDK, AAK dhe Nisma) si fitues i zgjedhjeve. Për formimin e Qeverisë janë të nevojshme të paktën 61 vota të deputetëve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb