Policia e Kosovës ka arrestuar 4 persona në lidhje me hetimet që po kryen pas plagosjes së avokatit Azem Vllasi. Në pranga kanë përfunduar: Ragip Sallova, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha dhe një person me inicialet N.N., shkruajnë mediat kosovare.

Sallova dhe Berisha me urdhër të prokurori janë dërguar në paraburgim për 48 orë ndërsa të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt.

Që të gjithë të arrestuarit dyshohen për përgatitje të veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, më konkretisht dyshohet se janë pjesë e organizatës “Syri i popullit”.

Policia e Kosovës, në këtë rast Drejtoria për Hetimin e Krimeve Rënda në mbështetje të Njësisë Speciale Operative, sot me datën 25 maj 2017, ka realizuar një operacion të gjerë policor të mbështetur edhe në urdhëresën e lëshuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, për urdhër kontroll në pesë lokacione të ndryshme, që përfshijnë rajonin e Prishtinës, Gjilanit dhe Ferizajt.

Operacioni policor është realizuar mbi dyshimet e bazuara të përfshirjes së disa personave të dyshuar në veprat penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.

“Veprimet policore kanë rezultuar me arrestimin e katër personave të dyshuar në vijim: R. S. viti i lindjes 1961, H.H. viti i lindjes 1966, B. K. viti i lindjes 1958, S. B. viti i lindjes 1971. Pas intervistimit të personave të dyshuar, prokurori ka nxjerrë aktvendim për ndalim 48 orë ndaj të dyshuarit (R.S.) dhe (S.B.), ndërsa dy të dyshuarit tjerë janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Vlen të potencohet se gjatë kontrollit të shtëpive janë gjetur dhe sekuestruar këto dëshmi: 1 revole me karikator dhe 2 fishekë, 1 pushkë ajrore, 7 fishekë të gjuetisë, 1 shtëpizë e kompjuterit, 6 telefona celularë, disa fletore, USB, etj.

Të gjitha dëshmitë dhe provat materiale të sekuestruara do të dërgohen për ekzaminim të mëtejshëm.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb