Deputeti i AKR-së, Islam Pacolli, ka thënë se nuk kanë vija të kuqe për asnjërën prej partive politike. Ka thënë se janë për ndërtimin e institucioneve dhe jo bllokimin e tyre. Ky zyrtar i AKR-së ka thënë se ende s’ka vendim nëse do të votojnë pro Veselit për kryetar të Kuvendit e as për Haradinajn kryeministër.

Dështimi i LDK-së dhe Vetëvendosjes për ndërtimin e një koalicioni paszgjedhor i ka hapur rrugë Aleancës Kosova e Re të konsiderojë mundësinë për të ndërtuar institucionet me PDK-në, AAK-në e NISMA-n.

Ultimatumi i AKR-së, tashmë, ka kaluar. Por, në Partinë e Pacollit thonë se ende s’ka vendim lidhur me një koalicion të mundshëm me PAN.

Islam Pacolli ka thënë se s’kanë vija të kuqe për asnjë parti e as person në Kosovë. Ka konfirmuar se AKR është pro ndërtimit të institucioneve e jo bllokimi të Kosovës.

“AKR nuk ka pasur vija të kuqe. Por, AKR i ka principet e veta. AKR bazuar në principe dhe vendimet që merr shkon përpara”, ka thënë Islam Pacolli, kur është pyetur nëse Partia e Pacolli ka qëndrim për të mos votuar pro Veselit e Haradianjt.

“AKR, gjithmonë, ka qenë për ndërtimin e institucioneve dhe ndërtimin e vendit. Është mirë që partitë politike t’i heqin interesat e ngushta personale dhe ta shikojnë vizionin e AKR-së që është në dobi të qytetarit”, ka shtuar Pacolli, të shtunën, për Express.

Pacolli ka thënë se AKR ende s’ka vendim lidhur me ndërtimin e ndonjë koalicioni të ri. “Natyrisht, se jo, partia merr vendim në koordinim me Presidentin”, ka shtuar ai.

Në zgjedhjet e fundit, AKR ka siguruar të paktën katër deputetë. Përpos Behgjet Pacollit në listë për në Parlament janë edhe: Labinot Tahiri, Korab Sejdiu e Islam Pacolli.

Partia e Pacolli lidhi koalicion parazgjedhor me LDK-në dhe sipas rezultateve fillestare ka marrë të paktën katër deputetë. Numrat e AKR-së mund të jenë vendimtar për të ndërtuar Qeverinë e re me Ramush Haradinajn dhe koalicionin PAN.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: