Nga: VJOLLCA BRAHO*TIRANE-Pafuqia e fqinjëve për të pranuar të vërtetën për masakrat dhe dhunimin ndaj çamëve duket se do të vijojë ende. Kreu i diplomacisë greke Kotzias, nuk mundi dot të ndiqte ritimin e leksionit të dhënë vetëm një ditë më parë nga Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Shultz, i cili kërkoi falje për masakrat e nazizmit. Madje, Kotzias tentoi të na bashkëfajësonte, teksa na u drejtua që nuk duhet të përsërisim gabimet e së shkuarës. Po çfarë mund t’i kërkosh të dhunuarit të mos përsërisë? Këtë ndoshta e dinë vetëm ata që mbështesin idetë e Kotziasit, të cilët vijojnë ende të mos lejojnë çamët të gëzojnë pronën e tyre, të gëzojnë vendlindjen e të parëve. Çamët nuk kanë parë kurrë në kërkesat e tyre ndonjë përpjekje për revansh ndaj atyre që dhunuan të parët e tyre. Kanë pritur gjithnjë që fqinji të kthejë sytë drejt tij e të pohojë atë që ka ndodhur. Vetëm një fjalë pendese dhe dhejtra e dhjetra familje çame do të përsërisnin njëzëri admirimin për paqen, për ta përë te fqinjët njeriun me të cilin mund të bashkëudhëtojnë.

Por a mundet të shihemi sy më sy kur njëra palë ende nuk arrin të gjejë fuqinë për të pohuar çfarë ka ndodhur? Kotzasi pohoi kotësinë e ligjit të luftës, por për asnjë çast nuk premtoi heqjen e këtij “formaliteti”. Madje kërkoi një rrugëtim që vetëm sa do të shtonte kalvarin e pamundësive për të shkuar drejt asaj që të parët tanë na e lanë amanet, na e lanë për të ardhmen tonë. E pikërisht në këtë pafuqi, ne nuk shohim vetëm pengesën për të zgjidhur atë që çamëve u takon, por edhe trishtimin për hapat e ndryshme me fqinjin. Ne nuk kemi dashur dhe nuk duam të besojmë se pasuesit e Homerit, Aristotelit, Kazanzaqisit, nuk do të dinë që një ditë të drejtohen drejt nesh e të pohojnë atë që duhet të thonë, atë që është e vërtetë, atë që asnjë kohë dhe askush nuk mundet ta shuajë pa u thënë e vërteta. Ne që jemi rritur me atë amanet, e dimë se çështja came është më e madhe se ne, më e fortë se një deklaratë e një politikani, me e rëndësishme se pamudësia e një burii që të thotë gjërat siç janë. Padyshim që duhet të besojmë se, përmes rrugëve europiane, në besimin për të drejtën, duke shpresuar se fqinjësia e mirë është pasuri, të arrijmë që të plotësojmë atë që na takon moralisht dhe, sipas gjithë ligjeve për të drejtat themelore, Greqia europiane duhet të aplikojë.

Kotzias dhe kushdo tjetër mund të vonojë, por nuk mund të zbehë. Sepse ajo që kërkojnë çamët është e vërteta që duhet ta dinë ata që janë sot të gjallë e ata që do të vijojnë ta gëzojnë jetën. 5100 të vrarë, të masakruar e të përçunduar nga një bashkëpunëtor i nazizmit si Napoleon Zerva, kërkojnë të drejtën e tyre, gjë që ne do të vijojmë t’ua kërkojmë fqinjëve tanë, me të cilët besojmë se kemi hapa para për të bërë. Fatkeqësisht Kotzias vërtetoi Ligji i luftës mes dy vendeve, një fantazëm historike që u miratua nga Metaksas, fatkeqësisht mbretëron ende si ligj dhe si mendësi në qeverinë e re greke. Por ne, ashtu siç është angazhuar edhe qeveria e sotme shqiptare, do të pëpiqemi përmes partneritetit, përmes respektit të ndërsjellë, të kërkojmë nga fqinjët të shikojnë të shkuarën në sy, e të lejojnë rivendosjen e së drejtës në vend. As “gabimet gramatikore”, si në rastin e emrit të ministrit Bushati e as përpjekjet për ta konsideruar çështjen came si “çështje të disa individëve” , nuk do të mund ta zbehin atë që ne e kosniderojmë si të drejtën tonë, si amanetin që na rikthen dinjitetin.

Sepse çështja came nuk është as vetëm e çamëve e as çështje shtëpish e tokash. Por është një histori për dinjitetin njerëzor, një histori që ka nevojë për të gjetur të vërtetën. Kotzias thjesht la të kuptohet se kemi nevojë ende për të gjetur rrugë bashkëpunimi. Por ne kemi kuptuar se komuniteti çam tashmë ka pas vetes gjithë shoqërinë shqiptare, sepse dinjiteti i kësaj çështjeje është dinjiteti i të gjithëve. Ndaj ne nuk mund të dekurajohemi nga ajo që besojmë se një ditë do të zbardhet.

*Kryetarja e Gruas në PDIU

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: