Nga: ZONJA VJOLLCA
600 gr fileto pule
2 të bardha veze
100 gr djath i integruar
½ lç rozmarinë e thatë
500 gr patate
400 gr spinaq
1 lgj uthull e bardhë
5 lgj vaj ulliri
1 thelpi hudhër
Kripë, piper i zi, arrë moskat

Fillimisht lajmë dhe thajmë mirë filetot e pulës, i bëjmë më pas një prerje horizontale duke e bërë në feta të mëdha të holla. Nëse dëshirojmë mund ti shtypim pak filetot me rrahësen e mishit dhe i marinojmë me kripë dhe piper të zi. Ndërkohë qërojmë patatet, i presim ato në kubikë me brinjë 2 cm dhe i vendosim në një tenxhere me ujë, shtojmë pak kripë dhe i lemë patatet të ziejnë për 20 minuta. Vendosim në një tas 2 të bardha vezësh, shtojmë pak kripë dhe i rrahim të bardhat e vezëve derisa të formohet një marengë jo shumë e fortë por sa të zbardhen vezët. Shtojmë pak rozmarinë të thatë dhe e trazojmë mirë me vezët e rrahura. Vendosim tiganin në zjarr me pak vaj ulliri dhe lyejmë filetot e pulës fillimisht me marengën e vezëve dhe më pas me djathin e grirë në rende. Vendosim filetot në tigan dhe i skuqim derisa të marrin një ngjyrë të artë të thellë nga të dyja anët. I largojmë më pas nga tigani dhe i vendosim në një pjatancë. Në një tigan tjetër të thellë vendosim pak vaj ulliri, shtojmë një thelpi hudhër të shtypur dhe të grirë imët. Vendosim më pas spinaqin dhe e kaurdisim për 1 minutë. Më pas shtojmë patatet e ziera duke shtuar dhe një lugë uthull, kripë, piper të zi dhe pak arrë moskat. E servirim gatimin në pjatë duke vënë më parë si bazë patatet me spinaqin dhe mbi të vendosim një kotoletë pule me djath. E spërkasim në fund spinaqin me patate me pak vaj ulliri të freskët.
(er.cu/Vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb