TIRANE– Kur na ndajnë edhe 10 ditë nga zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se partitë politike nuk kanë paraqitur ende propozimet për komisionerë. Sipas KQZ, mos emërimi i komisionerëve të Qendrave të Votimit pengon procesin zgjedhor dhe cenon standardet e zgjedhjeve. Gjithashtu KQZ kërkon nga partitë politike të depozitojnë në mënyrë urgjente propozimet e tyre pranë KZAZ-ve dhe të mos bëhen shkak për dëmtimin e procesit zgjedhor.

DEKLARATA E KQZ:
Jemi vetëm 10 ditë para datës së zgjedhjeve dhe ndodhemi në një situatë absurde dhe të patolerueshme, komisionerët e qendrave të votimit ende nuk janë emëruar dhe partitë politike që kanë detyrimin ligjor ti depozitojnë propozimet për anëtarë të KQV-ve, vijojnë të tregojnë neglizhencë dhe të mos respektojnë ligjin.

Partitë politike që kanë detyrimin ligjor ti depozitojnë propozimet për anëtarë të KQZ-ve, vijojnë të mos reagojnë duke shkelur afatet ligjore. Ndodhemi në situatën kur 62 KZAZ nuk kanë emëruar asnjë komisioner për Qendrat e Votimit, dhe në 31 prej tyre nuk është dorëzuar asnjë propozim nga asnjë parti politike.

Kjo sjellje e partive politike është e patolerueshme, pasi tregon mungesë përgjegjshmëri në përmbushjen e të drejtave dhe detyrimeve që ju ngarkon Kodi Zgjedhor.

Mos emërimi i komisionerëve të Qendrave të Votimit rrezikon trajnimin e komisionerëve nga ana e KQZ-së, dhe mos trajnimi i tyre ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në administrimin e procesit zgjedhor.
Partitë politike që kanë të drejtën të sjellin propozimet për komisionerët e qendrave të votimit, të depozitojnë në mënyrë urgjente propozimet e tyre pranë KZAZ-ve dhe të mos bëhen shkak për dëmtimin e procesit zgjedhor dhe cenimin e standardeve të zgjedhjeve.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: