TIRANE– Çdo fermer i zonave përreth Tiranës që ka ide për të ngritur një biznes apo për të investuar në një fushë tashmë do të ketë mbështetjen e Bashkisë Tiranë. Në takimin e zhvilluar në Petrelë, me titull “EU Transit –Tirana Farm”, me objektiv gjetjen e partnerëve dhe rritjen e mundësisë për bashkëpunim ndërmjet sipërmarrësve të rinj në vendin tonë dhe vendeve të tjera evropiane, kryebashkiaku Erion Veliaj theksoi nevojën për mbështetjen e bizneseve apo sipërmarrësve të rinj, që sjellin më shumë punësim, por edhe më shumë zhvillim.

“Bashkia e Tiranës e ka një skemë të kredive dhe të granteve për të rinjtë. Nëse shuma është e vogël, ne mund ta japim në formë granti, nëse një nga të rinjtë këtu në Kryezi, Hekal, Petrelë apo kudo ka një ide, të shohim nëse mund ta financojmë. Nëse ideja është investim pak më i madh, kemi edhe një fond të mikrokredive si Crimson Fund Albania, ku gjithashtu japim mikrokredi për një periudhë afatgjatë me norma interesi thuajse zero, por që të sigurohemi që ai djalë apo vajzë që ka një ide brilante se si mund të gjenerojë të ardhura me ekonominë e fshatit, të ketë mundësi ta bëjë edhe me ndihmën e Bashkisë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku veliaj theksoi se sa i përket bashkisë ajo do të punojë që të shtojë investime si ai i Pazarit të Ri, ku çdo fermer i Tiranës të mund të shesë me kushte sa më të mira prodhimet e veta bujqësore dhe blegtorale.

Veliaj ripërsëriti apelin që qytetarët e Tiranës të blejnë produkte vendase pasi ato janë më të shëndetshme dhe në këtë mënyrë rrisin të ardhurat e qytetit.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb