Dy krerë të Lartë të BE-së shprehin shqetësimin për situatën politike të krijuar në Shqipëri, duke i dhënë një tjetër “shuplakë” opozitës së Lulzim Bashës për bojkotin e parlamentit dhe mos regjistrimin në zgjedhje.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini dhe komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn nëpërmjet një deklarate të përbashkët shprehin keqardhjen që “opozita nuk është regjistruar ende në zgjedhje”, por edhe për atë që e quajnë “sulm ndaj reformës në drejtësi”.
BBB
Ata këshillojnë se: “Debati politik nuk duhet të zhvillohet jashtë, por brenda parlamentit sipas praktikave demokratike”.

Duke deklaruar se qytetarët shqiptarë meritojnë një lidership të përgjegjshëm, Mogherini e Hahn apelojnë: “Edhe njëherë i bëjmë thirrje të gjithë liderëve politikë të veprojnë me përgjegjshmëri, të respektojnë institucionet dhe të hapin rrugën për zgjedhje demokratike, në përputhje me standardet ndërkombëtare”.

Më specifikisht, Mogherini dhe Hahn e vënë theksin tek nevoja e madhe që Shqipëria ka për reformën në drejtësi, e cila është sulmuar sërish, siç thonë ata.

“Reforma e drejtësisë, më e domosdoshmja në Shqipëri, është sulmuar sërish. I bëjmë thirrje të gjitha partive të përfundojnë formimin e institucioneve të vettingut. Sulmi ndaj reformës gjyqësore dhe jo sigurimi i zbatimit të vettingut, me monitorimin e ONM, dëmton Shqipërinë tani por edhe në të ardhmen”,- theksohet në deklaratë.

“Presim që anëtarët e parlamentit të tregojnë përgjegjshmëri, aftësi për të vepruar brenda kornizës demokratike, legjitime dhe institucionale dhe të qëndrojnë në anën e popullit shqiptar që kërkon nisjen e vettingut dhe që gjyqësori të reformohet përfundimisht, që është gjithashtu një hap vendimtar për integrimin e vendit drejt BE-së”,- përfundon deklarata e tyre.

Deklarata e dy zyrtarëve të lartë vjen në të njëjtën ditë që kryedemokrati Lulzim Basha e ka cilësuar vettingun, projeket mafioz.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: