Java e 35 e kampionatit dha verdiktin e hidhur për Tiranën e Vllazninë që në takimin e fundit duhet të ndeshen me njëra-tjetrën për të mbijetuar në “Superligë”. Fusha e lojës do tregojë se kush nga ekipet është më e aftë për t’ja arritur qëllimit, por krerët e dy klubeve po bëjnë të pamundurën duke shfrytëzuar çdo mundësi legjitime që të shmangur turpin.

Drejtuesit nuk po mendojnë vetëm për të motivuar lojtarët e tyre, por edhe ekipet e Teutës e Korabit në mënyrë që të ndalin Laçin e Flamurtarin, që janë rivalët direkt të Tiranës e Vllaznisë. “Panorama Sport” mëson se për “kokën” e kurbinasve dhe të vlonjatëve janë vënë në dispozicion 200 mijë euro nga krerët e dy klubeve.

Llogaritë si mund të shpëtojë Tirana e Vllaznia

E para dy skuadrat kanë në këmbët e tyre gjithçka për t’ia dalë mbanë në rast se marrin fitore, por nëse duhet të shpëtojnë të dyja, atëherë varen nga Korabi dhe Teuta. Në rast se Tirana dhe Vllaznia ndajnë një pikë dhe Laçi e Flamurtari gjithashtu nuk arrijnë të fitojnë në ndeshjet kundër dibranëve dhe durrsakëve, atëherë bardheblutë dhe shkodranët mund të festojnë së bashku qëndrimin në elitë (me këtë variant bie Laçi). Ky kombinim është sa i vështirë, por edhe aq i mundshëm.
flamurtari-korabi-470x310
Si për ironi të fatit, Korabi i ka prishur punë Tiranës dhe Vllaznisë, duke u marrë nga një pikë në fazën e tretë dhe të katërt. Në njëfarë mënyre, dibranët janë bërë shkas që dy klubet legjendë të futbollit shqiptar të jenë më të rrezikuarat për të rënë. Është fakt se dibranët kanë treguar se mund t’u hapin punë kujtdo dhe të shtunën ndaj Flamurtarit në “Selman Stërmasi” i motivon vetëm një premio shumë e majme.

E njëjta gjë edhe për Teutën, që në rast se arrin të fitojë në Laç, jo vetëm mund i bëjë nder vetes, pasi ka shanse për vendin e katërt (në rast se humb Luftëtari kundër Kukësit), por në të njëjtën kohë arrin të shpë- tojë njëkohësisht Vllazninë dhe Tiranën. Natyrisht këto të fundit e kanë çuar situatën deri këtu falë gabimeve që kanë bërë në fazën e katërt.
laci-teuta-470x261
Madje, pak ditë më parë vetë presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, duke folur për “Panorama Sport” në lidhje me bardheblutë dhe shkodranët, u shpreh: “Tirana dhe Vllaznia nuk kanë pse ta lënë në dorën tonë apo të Laçit fatin e mbijetesës. Për mua si president i Teutës, të dyja këto klube të njohura të futbollit shqiptar kanë gabuar vetë gjatë kampionatit, prandaj dhe ndodhen në këto pozita. Tirana ka gabuar më shumë, ndërsa Vllaznia më pak, kështu që nuk mendoj se janë në dorën tonë.”

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb