TIRANE- Kreu i Inspektoratit Qendror, Shkëlqim Hajdari priti në një takim sot ambasadorin e Japonisë në Tiranë, Makoto ITO. Hajdari informoi z. ITO mbi funksionet e detyrat kryesore të Inspektoratit Qendror, si institucioni bërthamë rregullatore dhe e udhëheqjes metodologjike të të 15 (pesëmbëdhjetë) Inspektorateve Shtetërore. Nga ana e tij ambasadori ITO, kërkoi informacion mbi mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Inspektorateve Shtetërore, si dhe në mënyrë të posaçme mbi rolin e Inspektoratit Qendror, si Institucion udhëheqës.

Inspektorati Qendror krahas punës me bizneset dhe dhomat e përfaqësimit, përmes Memorandumeve të Bashkëpunimit (MoU), ka kërkuar përfshirjen e vetë bizneseve në procesin e reformimit të Inspektorateve Shtetërore, me synimin për rritjen e transparencës dhe efikasitetit të punës së inspektorateve dhe çfarë është më e rëndësishmja, për reduktimin e barrës administrative të biznesit që vjen nga veprimtaria e agjencive ligj zbatuese në fushën e inspektimeve. Inspektori i Përgjithshëm shprehu bindjen se industria japoneze e pajisjeve elektronike dhe e aplikacioneve softëare do të ishte një shembull avant-garde për t’u marrë në konsideratë, përpara se projekti të paraqitet për financim pranë Qeverisë Shqiptare, në fillim të muajit Shtator, si dhe donatorëve të huaj.

Po ashtu, Hajdari theksoi nevojën për marrjen e informacioneve dhe mundësinë e organizimit të takimeve të drejtëpërdrejta me industrinë Japoneze në fushën e sigurisë ushqimore, si dhe të industrisë së ndërtimit (siguria e ndërtesave dhe e objekteve shtetërore e private). Takimi ishte tejet i përzemërt, duke lënë të hapur komunikimin për vendosjen e kontakteve institucionale me shtetin Japonez, e sipërmarrjet private, që ofrojnë shërbime shtetërore e private (si laboratoret e pavaruara, të çertifikuara ndërkombëtarisht) në Japoni.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb