Tensionet mes Taulant Xhakës dhe trajnerit De Biazi kanë sjellë humbjen e një futbollisti kyç për takimet e ardhshme që Kombëtarja e Shqipërisë do të zhvillojë me Luksemburgun dhe Izraelin.

I cilësuar si ‘diga e mesfushës’ dhe njëkohësisht si lojtari i preferuar i teknikut italian, Xhaka dhe De Biazi nuk u pajtuan më kurrë që pas krisjes së parë të tyre në kampionatin Europian 2016.

Dhe së fundmi, gjithçkaje iu ‘vu kapaku’ kur mesfushori braktisi grumbullimin me Kombëtaren pas ndeshjes me Italinë pa miratimin e stafit. Pas këtij akti Xhaka do shprehej se “për sa kohë De Biazi të ishte në krye të pankinës, nuk do të grumbullohej më me Kombëtaren”.
xhaka
Për pak ditë Shqipëria mblidhet sërish pasi luhet ndeshja miqësore kundër Luksemburgut dhe sfida kualifikuese për Botërorin kundër Izraelit. “Panorama Sport” mëson se për këto dy takime Taulant Xhaka nuk do të ftohet dhe natyrshëm dihet edhe arsyeja.

Përpos mungesës së Xhakës në Kombëtare vjen edhe surprizë tjetër.

Edhe pse nuk ka luajtur asnjë minutë me ekipin e Renne në Francë, madje as nuk është grumbulluar, është pothuajse e sigurtë se Lenjani do jetë pjesë e listës së të ftuarve për dy takimet e ardhshme.

Kjo vihet re edhe në miniseancën stërvitore që ndihmësit e De Biazit, Ervin Bulku dhe përgatitësi atletik Alberto Bele, kanë drejtuar ditën e djeshme ku të pranishëm ishin Agolli, Lila, Basha e Lenjani. Kjo seancë u organizua me arsyen se këta futbollistë kanë mbaruar impenjimet me skuadrat e tyre dhe nuk duhet që të humbin ritmin e shokëve të ekipit që ende janë aktiv.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb