TIRANE– Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj iu është përgjigjur kritikëve për sheshin “Skënderbej”, duke u shprehur se do të durojë dhe për tre ditë fyerjet dhe cinizimin.

“Edhe tre dite do duroj helmin dhe cinizmin në drejtim të sheshit më të bukur në botë Sheshit Skënderbej”, kështu u shpreh kreu i Bashkisë Veliaj gjatë takimit me banorët e Njësisë Administrative Nr.8, tek Pazari i Ri.

Kryebashkiaku bëri një bilanc të punëve publike që janë bërë në këtë zonë, si dhe të projekteve madhore që kanë prekur gjithë kryeqytetin. Ai theksoi se një nga projektet më të rëndësishme, por edhe më të bukura të realizuara në këto dy vite të para të mandatit të tij si kryetar bashkie, është pikërisht transformimi i sheshit “Skënderbej”.

Teksa ftoi qytetarët që të bëhen pjesë e festimeve që do të organizohen për hapjen e sheshit në 10 qershor, ora 19.30, Veliaj shtoi se Sheshi Skënderbej do të jetë një nga sheshet më të bukura jo vetëm në rajon.

“Ende pa u hapur, kemi marrë një ftesë zyrtare nga bienalja e Çikagos, që është një nga bienalet më të mëdha të arkitekturës në botë, për ta prezantuar sheshin “Skënderbej” si një nga projektet më të mira të arkitekturës sot. Kështu që Saliut, Lulit, atij tjetrit me pistoletë, që vajti të prishte lodrat e fëmijëve dhe tani na e kthejnë si deputet, iu them se arsyeja pse jeni të mërzitur është sepse sheshi është bërë kaq i bukur e i madh saqë ju s’keni më as mbështetës me çfarë ta mbushni. Ama, qytetarë të Tiranës, fëmijë që luajnë, gjyshe e gjyshër që do të vijnë të pushojnë aty, do të ketë sa të duash”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku u shpreh se sheshi ofron një raport të përmbysur mes sipërfaqes së gjelbëruar dhe asaj të ngurtë.

“Sheshi Skënderbej sot ka 28 mijë m2 me gurë nga e gjithë Shqipëria dhe 32 mijë m2 gjelbërim, pemë, shkurre e lule. Kjo do të thotë se për herë të parë kemi një shesh i cili në totalin e projektit të vet ka më shumë gjelbërim se sa ka pllakë. Sheshi kryesor i Vienës nuk ka asnjë pemë, as sheshi kryesor i Hagës, as sheshi i Amsterdamit, as sheshi i Roterdamit, meqë e kemi nga Holanda, as sheshi San Marco në Venecia nuk ka të mbjellë asnjë pemë, kurse sheshi Skënderbej ka 2200 pemë”, theksoi Veliaj.

Ai deklaroi se sheshi tashmë ofron mundësi edhe për ata që duan të zhvillojnë aktivitete në shesh, ashtu edhe për ata që duan të kalojnë kohën nëpër hijet që ofron pjesa e pyllëzuar. Veliaj shtoi se veç lulishteve dhe hijeve që ofrojnë zonat përreth, sheshi do ketë një freski të shtuar nëpërmjet shatërvanëve të shumtë që do të funksionojnë në të gjithë sipërfaqen.

“Sheshi ka 100 shatërvanë që gurgullojnë ujë gjithë kohën, duke krijuar freskinë e nevojshme. Duke qenë se sheshi ka pendencë, uji zbret në fund, filtrohet dhe del prapë në sipërfaqe. Pra, ruan çdo pikë shiu që bie dhe kjo është hera e parë që kemi një shesh ekologjik”, nënvizoi kryebashkiaku i Tiranës.

Ai theksoi se sheshi arrin ta nxjerrë investimin e vet nëpërmjet parkimit publik nëntokësor.

“Për herë të parë po bëjmë një investim publik i cili paguan veten e vet. Bëhen sheshe, bëhen lulishte, bëhen stadiume, por asnjëherë nuk paguajnë dot koston e tyre. Gjysma e sheshit është parking dhe në vend që t’ia japësh lekët atij me arka që të gërvisht makinën, më mirë ia jep bashkisë, e cila bën investime të tjera. Pra, është hera e parë që një investim jo vetëm është i bukur, jo vetëm është i mirë, por i nxjerr lekët e veta”, tha kreu i Bashkisë.

Për të njëjtin projekt, PDIU iu përgjigj sot pretendimeve të Athinës zyrtare, duke e cilësuar “ndërhyrje në punët e brendshme dhe fyerje të historisë”.

Sakaq, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, kryebashkiaku Veliaj ka përcjellë disa foto nga sheshi i rikonstruktuar.

“A ka gjelbërim në sheshin Skënderbej?
Përpara një viti kishte 220 pemë, sot ka 2,220 pemë, 4,500 shkurre dhe 70,000 lule. Eja numëroi vetë të Shtunën ora 19:30”, shkruan Veliaj bashkangjitur fotove.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb