TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka kërkuar sot dialog për zgjidhjen e krizës duke u shprehur optimist para ardhjes së negociatorëve europianë David Mc Allister dhe Knut Fleckenstein që do të ulin palët në tryezën e bisedimeve. Para protestuesve fierakë në çadër Basha tha se ai përfaqëson interesat e një bashkimi të madh qytetar dhe se mund të bëjë kompromis për gjithçka që i takon PD-së por jo tërheqje për fatin e qytetarëve dhe zgjedhjeve.

“Sot kemi shansin ta zgjidhim me dialog. Unë shkoj në këtë proces me vetëdijen se plotësoj interesat e një bashkimi të madh qytetar, bashkimi të madh popullor. Ndaj e kam shumë të thjeshtë të bëj kompromis, të gjej gjuhën e kompromisit politik për gjithçka që më takon mua dhe PD-së por nuk do bëj asnjë tërheqje për gjithçka që i takon fatit të qytetarëve të demokracisë shqiptarë fatit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha Basha.

Kreu i PD-së deklaroi se ‘Zgjidhja që kërkojmë ne, është zgjedhje të lira dhe të ndershme, nuk po i kërkojmë pushtet në tavolinë’.

“Nuk po i kërkojmë të shporret. I kërkojmë vetëm t’i lejojë popullit të vendosë me votë të lirë e të ndershme. Uroj që palët ta përdorin këtë shans për t’i dhënë fund me dialog krizës. Ta kenë fare të qartë se ne jemi të bashkuar dhe të vendosur për ta çuar këtë betejë deri në fund. Fundi nuk do të jetë votim pa opozitën, nuk do jetë shpërndarje e popullit, fundi do të jetë fitorja e kauzës sonë të drejtë. Urojmë që sot arsyeja e shëndoshë të mbizotërojë edhe në mendjet e sëmura të pakicës që ka marrë peng popullin”, theksoi Basha.

Ashtu si kryeministri Edi Rama, paraditen e sotme i kërkoi Zotit ‘t’i falte’ ata që s’dinë ç’bëjnë edhe kreu i PD-së kërkoi që t’i luten Zotit edhe për kundërshtarët.

“T’i lutemi Zotit edhe për kundërshtarët tanë. Uroj që rruga e dialogut të na çojë drejt bashkimit kombëtar për Shqipërinë europiane me pasurinë e pluralizmit politik brenda. Përmes dialogut ose përmes përballjes populli do të fitojë gjithmonë”, tha Basha.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: