TIRANE- Pavarësisht se mes palëve politike në vend është përmendur fjala dialog, deri më tani ende nuk është gjetur gjuha e përbashkët. Ndaj, e gjithë vëmendja sot është tek dy negociatorët, që do të mbërrijnë sot në Tiranë, eurodeputetët Knut Fleckenstein dhe David McAllister.

Ashtu siç është bërë e ditur, dy negociatorët kanë marrë përsipër për të gjetur një zgjidhje për ngërçin politik që ka mbërthyer vendin prej gati 66 ditësh, që në nisje të protestës së opozitës. Kjo e fundit prej kohësh kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e qeverisë teknike për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Dje opozita u hodh në protestë, ndërsa bllokoi për 1 orë 5 pika akse në vend.

Sakaq, me ardhjen në Tiranë të dy eurodeputetëve, parashikohet që ata të ulen në tryezë me një draft marrëveshje me disa pika, që do t’ia prezantojnë Ramës dhe lider të opozitës, Basha.

Axhenda e parashikuar
Pasi dy eurodeputetët të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp, ata do të takohen si fillim me kryeministrin Edi Rama dhe kryeparlamentarin Ilir Meta. Fill pas tyre negociatorët do të takohen me kryedemokratin Lulzim Basha. Ndërkaq, deputeti i PD-së, Luçiano Boçi paralajmëroi dështimin e negociatave që pritet të zhvillohen sot pasdite mes kryeministrit Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha për zgjidhjen e krizës politike me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar. Boçi deklaroi se përfshirja e eurodeputetit Knut Flekenstein si shoqërues i negociatorit David McAllister nuk lë një shije të mirë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb