TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Gramoz Ruçi ka mbajtur një fjalë të gjatë në seancën e sotme dhe një pjesë të mirë të deklaratave të tij ishin një sfidë për aleatin e kryeministrit, Ilir Metën. Që në nisje Ruçi paralajmëroi se do fliste troç duke ‘akuzuar’ kreun e kuvendit se ka punuar më shumë për opozitën.

“U takon juve si forcë politike që jeni vendosur edhe si ndërmjetës dhe keni kaq kohë, se thashë që do flas troç që keni anuar nga pala tjetër, dhe jo të arrini tek pikësynimi që kemi të gjithë. Dua që dhe ju të reflektoni për të mos e mbyllur parlamentin vetëm për hatër të çadrës. Kërkoj që të thirret konferenca e kryetarëve dhe nesër të zgjidhet Presidenti ose të shkojmë në zgjedhje të parakohshme”, tha Ruçi.

Këto deklarata numri një i deputetëve socialistë i bëri në raundin e tretë për zgjedhjen e Presidentit, i cili shkoi sërish në dështim për shkak të mungesës së kandidatëve. Maxhoranca ende nuk ka rënë dakord për zgjedhjen e emrit, me gjithë përpjekjet dhe lëvizjet e ditëve të fundit nga dy aletatët Rama-Meta, çka solli edhe deklaratat e forta të Ruçit.

Nga ana tjetër ai theksoi se ditën kur palët u ulën në një tryezë për dialog, zoti Meta sipas tij shfaqej shumë i lumtur.

“Në këto raste nuk është pranuar as ndërmjetësim. Ne na është kërkuar të thellohemi, edhe pse ramë dakord. Na kërkuan që të thellohemi jashtë çdo lloj Kushtetutë, demokratike dhe njerëzore. Ne sigurisht që i duam dhe respektojmë Gjermaninë dhe përfaqësuesit e saj. Pasi ne shqiptarët të them të drejtën, Gjermaninë e kemi, kur ishim propagandist unë dhe Saliu, se Saliu se pranon e kemi fener ndriçues për respektin që kanë për të drejtat e liritë. Ajo që na çudit ne është se dhe gjermanet kur ardhkan në Shqipëri, bëjnë si ne. Na kërkojmë që të bëjmë gjëra që as njerëzit s’kanë ndërmend t’i bëjnë. Na kërkuan që të shtyjmë zgjedhjet, të prekim qeverinë, vetëm për të pushuar të qarat e familjes që bërtet në kupë të çadrës, se do edhe penallti, edhe portën bosh. Ju në tavolinë zoti kryetar u treguar shumë i lumtur, edhe pse këto kërkesa ishin të mëdha. Nuk u tha as po e as jo, siç do doja unë të bëhej. Dha të kuptohej se PD të vij dhe të votojë vettingun. Pa kaluar as 5 minuta, mora vesh se Zoti Basha iku më parë se erdhi nga Pallati i Brigadave. Zoti Meta unë pyes çfarë po ndodh kështu. Dhe të imagjinosh që ne socialistët të sillemi kështu si sillet PD me ligjin dhe rregullat, dhe Saliu, zoti Kryetar, i imi dhe i yti të vazhdonte të na lutej: Amani ejani ju socialist se unë nuk bëjë dot pa ju. Ju zoti Kryetar keni 4 vite që i keni dhënë Saliut fjalën më shumë se ne. As Saliu dhe as Jozefina, nuk na lejuan ne dhe e futën në të ashtuquajturën rregullore për të siguruar gjasme ftesën e BE. Unë pyes a ka kufij kjo zoti Kryetar? 1 milion njerëz po vazhdojnë të shohin se si na merr peng një çadër që e ka hallin tek vettingu. Përgjigja ime është që dialogu ka ndaluar”, theksoi Ruçi.
(e.f/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: