FIER – Kryetari i Bashkisë së Fierit ka hedhur poshtë akuzat e ngritura ndaj tij dhe 6 zyrtarëve të tjerë të bashkisë për “Shpërdorim detyre”, duke deklaruar se vlerësimi i përfitimit të banesave është bërë në mënyrë ligjore. Ai u shpreh se disponon gjithë dokumentacionin e plotë, të cilën ia ka dorëzuar prokurorisë dhe tashmë pritet vendimi i gjykatës për të zbardhur këtë çështje.

Dje, Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimin dhe ka dërguar për gjykim kërkesën ndaj kryetarit të Bashkisë Fier, Baftjar Zeqaj dhe gjashtë zyrtarëve të tjerë të këtij institucioni, të gjithë në cilësinë e Komisionit të Strehimit, të akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Ndaj të gjithë zyrtarëve, me kërkesë të Prokurorisë, gjykata ka vendosur fillimisht masën e sigurisë “ndalimi i daljes jashtë shtetit”.

Gjithashtu, bashkë me zyrtarët, prokuroria ka marrë të pandehur edhe 6 shtetas të ndryshëm, të akuzuar për “falsifikim dokumentesh”, në rastin e aplikimeve për lehtësira në strehim, për të përfituar nga kuotat përkatëse të Bashkisë.

Mësohet se zyrtarët e akuzuar për veprën penale “shpërdorimi i detyrës” janë: Baftjar Zeqaj, Agron Begaj, Fatmir Kajolli, Ramiz Hoxhaj, Alfred Boçova, Selman Braçe, dhe Esmeralda Kapllanaj, të gjithë me masë sigurimi “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”
Ndërkohë shtetasit e akuzuar për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve” janë: Mimoza Kollçinaku, Gazmir Dano, Enver Lloshi, Shaban Selaci, Ylli Dhjari, dhe Faslli Zhara.

Burime zyrtare nga prokuroria bëjnë të ditur se hetimi ka nisur në bazë të kallëzimit nga 15 shtetas, të cilët kanë aplikuar pranë Bashkisë Fier për tu trajtuar me banesa sociale si të pastrehë. Kallëzimet, pavarësisht specifikave të tyre, që lidhen me faktin se përse duhet të ishin trajtuar si të pastrehë, në përgjithësi trajtojnë të njëjtat problematika dhe shkelje të proçedurave ligjore nga ana e Komisionit të Strehimit, të ngritur për përzgjedhjen e aplikuesve si të pastrehë.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: