TIRANË- Analisti Andi Bushati ka folur sot nga studio e News24 për LSI-në, pak orë pasi ajo të zhvillojë konventën kombëtare zgjedhore nga ku pritet që Monika Kryemadhi të zgjidhet kryetare e partisë.

Bushati tha se kjo ëshë e njëjta fabul si tek PS dhe PD dhe në këtë mënyrë LSI shpallet një parti familjare. Ai shtoi se është njësoj si t’i thuash shqiptarëve se politikat e partisë nuk do bëhen në dyert e LSI-së po në dhomën e gjumit të shtëpisë.

“LSI për një kohë të gjatë dihej që ishte e Ilir Metës dhe Kryemadhit të paktën në fasadë e ka ruajtur një farë kolegjialitetit. Është zgjedhur me një anëtar një votë, ka pasur një kundërshtar. Në momentin që shkon drejt presidencës dhe i lë bashkëshortes partinë këtu ka një gjë që nuk shkon, nëse LSI mëton që të jetë më afër interesave të shqiptarëve. E vetmja mundësi ishte që të mos e shpallte të paktën që është një parti familjare.
Të paktën në formë nëse LSI pretendonte se ishte e ndryshme nga PS e PD, duhet të bënte ndryshe. Nuk është një gjë që bie në sy për të mirë. Duket se i thua shqiptarëve politikat e partisë nuk do bëhen në dyert e LSI-së por në dhomën e gjumit të shtëpisë”, deklaroi Bushati.

Ai tha se nuk përbën problem fakti që Kryemadhi do jetë bashkëshortja e Presidentit por sjellja ndryshe para zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve.

“Për mua kjo nuk ka problem. Ka thënë që do mbetet politikane. Ajo që më shqetëson është fakti se si sillemi para zgjedhjeve kur kërkojmë votat dhe si sillemi menjëherë pasi kemi rrëmbyer votat. Pse të mos kalonte partia që në momentin që shkoi në presidencë?”, tha Bushati.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb