TIRANE- Shtatë kandidatët për postin e Prokurorit të Përgjithshëm të përkoshëm kanë paraqitur pasditen e sotme platformat e tyre, para anëtarëve të Komisionit Parlamentar të Ligjeve. Ashtu siç edhe “BalkanWeb” raportoi një ditë më parë referuar burimeve, në këtë seancë dëgjimore nuk marrin pjesë deputetët e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, pasi e cilësojnë atë antikushtetuese.

Procesi i aplikimeve për postin e Prokurorit të Përgjithshëm të përkoshëm u mbyll pasditen e djeshme në orën 18:00, dhe syrtarisht janë regjistruar 7 kandidatë.

Në garën për të pasuar Adriatik Llallën në postin e Kryeprokurorit, janë regjistruar: prokurori i Durrësit Ferdinand Elezi; prokurorja e Shkodrës Arta Marku; si dhe prokurorët Besnik Muçi; Arqile Koça; Granit Shahu; Ermira Tafani; dhe Artur Selmani.

PROKURORI FERDINAND ELEZI: SISTEMI I DREJTËSISË KA PROBLEMATIKA TË THEKSUARA
ORA 19:00 Kandidati i pestë në garën për Prokuror të Përgjithshëm të përkohshëm, ka prezantuar platformën e tij para deputetëve të Komisionit Parlamentar të Ligjeve. Prokurori i Durrësit Ferdinand Elezi, tha se sistemi i drejtësisë, në vend e kryesisht organi i prokurorisë, ka patur problematika të theksuara.
ferdinand elezi

“Sistemi i drejtësisë në vend dhe ndjekja penale ka probleme. Problematikë mbetet lufta ndaj korrupsionit. Nëse unë zgjidhem Kryeprokuror do të promovoj prokurorët më të përkushtuar”, u shpreh kandidati Elezi.

Kreu i Prokurorisë së Apelit në Durrës, Ferdinand Elezi, është kandidati i parë që ka dorëzuar dosjen për këtë garë, duke shprehur ambicien për Kryeprokuror. Ai ka kryer funksionin e prokurorit që prej vitit 1999, kur është emëruar në detyrën e drejtuesit të prokurorisë së rrethit Kavaje deri në vitin 2002.

Pas kësaj detyre ai ka qenë zëvendësdrejtues i Prokurorisë së rrethit gjyqësor Durrës deri në vitin 2005, kur është emëruar drejtues i Prokurorisë së Apelit në Tiranë. Prej vitit 2006 e në vazhdim, Elezi, ushtron funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Apelit Durrës.

KANDIDATI BESNIK MUÇI SHPALOS PLATFORMËN: KAM HETUAR DOSJE TE RENDESISHME
ORA 17:55 Prokurori Besnik Muçi ka shpalosur kandidaturën dhe platformën e tij për postin për Prokuror të Përgjithshëm të përkohshëm. Në dëgjesën para deputetëve të Komisionit të Ligjeve, prokurori Muçi tha se gjatë punës së tij ka hetuar dosje të rëndësishme.
besnik muci

“Kam hetuar çështje të rëndësishme dhe sensitive. Kam hetuar çështjen e vrasësve me pagesë, dhe “bandën e babagjyshëve”. Po kështu kam hetuar çështjen e bandës së Lushnjës. Kemi patur sukses në hetimin e këtyre çështjeve. Kam kontribuar për ligjin e konfiskimeve. Jam në proces doktorature, dhe trajnues për gjyqtarët. Jam i angazhuar në aktivitete specifike”, u shpreh prokurori Muçi.

Muçi, aktualisht është pjesë e prokurorisë së Krimeve të Rënda. Karriera e tij fillon në Prokurorinë e Tiranës, dhe pikërisht në këtë prokurori ai ka hetuar dosje si mbikalimin e “Zogut të Zi”. Pas përplasjeve me kryeprokurorin e kohës Theodhori Sollaku, Muçi ka vendosur të japë dorëheqjen nga prokuroria dhe më pas të fillojë punë pranë Policisë së Shtetit.

Pas largimit të Sollaku, Muçi rikthehet sërish prokuror pas një vendimi të marrë nga Ina Rama, e cila e caktoi tek Prokuroria e Krimeve të Rënda.

DËGJESA ME KANDIDATËT, PROKURORI ARTUR SELMANI: PROKURORËT KANË ENDE REFLEKSE TË KOHËS SË VJETËR
ORA 16:55 Prokurori i Tiranës Artur Selmani ka prezantuar kandidaturën dhe platformën e tij për garën për postin e Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm. Para deputetëve të Komisionit të Ligjeve, Prokurori Selmani u ndal tek kualifikimet e tij, dhe fusha e studimeve ku është fokusuar.
Artur Selmani

“Reforma në drejtësi do të ndryshojë mëndësinë e vjetër. Prokurorët kanë ende reflekse të kohës së vjetër. Kthimi i besimit të publikut tek prokuroria duhet të krijohet me zbatimin e reformës në drejtësi”, u shpreh prokurori Selmani.

Artur Selmani ka hetuar për disa muaj me radhë sherret në Kuvendin e Shqipërisë, fillimisht kallëzimin e PD-së për deputetin Amarildo Prenga, dhe më vonë deputetët Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu.

PLATFORMA E PROKURORES ARTA MARKU: NUK DO KETË MË KOMANDIME TË PROKURORËVE PA KRITER
ORA 16:20 Kandidatja e dytë që ka prezantuar platformën përpara anëtarëve të Komisionit të Ligjeve është prokurorja e Shkodrës, Arta Marku. 41-vjeçearja nga Puka, ka përfunduar në vitin 1999 shkollën e lartë në Shkodër, ndërsa Magjistraturën në 2001. Ajo ka një eksperiencë prej 15 vitesh si zëvendësprokurore e këtij rrethi. Gjithashtu, Marku garon edhe për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Mësohet se bashkëshorti i saj punon si Oficer i Policisë Gjyqësore (OPGJ) për qarkun Lezhë, Shkodër dhe Kukës.
Arta Marku (1)
Teksa ka paraqitur arsyet e pjesëmarrjes në këtë garë, Marku tha se beson tek transparenca e këtij procesi. Ajo tha se e sheh me rëndësi reformimin e sistemit të prokurorisë. Sipas Markut në sistem ka prokurorë me integritet dhe moral, të cilët mund t’i japin shumë vendit.

“Ka shpërndarje të pabarabartë të ngarkesës në prokurori. Vlerësimi nuk bëhet sipas meritës. Në sistem ka prokurorë me integritet dhe moral, të cilët mund t’i japin shumë vendit. Do bëj të mundur që përmes urdhrave dhe udhëzimeve të zbatohen drejt dispozitat e reformës në drejtësi dhe ligjeve të vendit. Nuk do ketë më komandime të prokurorëve pa kriter, pasi kjo e ka çrregulluar sistemin. Do të mundësohet ruajtja e sekretit hetimor. Dhe do përfaqësoj me dinjitet e integritet, institucion, dhe o mbaj marrëdhënie korrekte me të gjithë aktorët në vend dhe me ndërkombëtarët”, u shpreh prokurorja Arta Marku.

PROKURORI ARQILE KOCA PARAQET PLATFORMEN: PRIORITETI IM, VIJIMI I RREFORMES NË DREJTËSI
Ora 15:35- I pari që ka paraqitur kandidaturën dhe platformën e tij para anëtarëve të Komisionit të Ligjeve, është prokurori Arqile Koça. Arqile Koça është nga Devolli. Profesionin e prokurorit e ka ushtuar shumë herët. Ka punuar prokuror në rrethet Devoll e Korçë, nga ku më pas është transferuar në Prokurorinë e Përgjithshme.
Arqile Koca
“Jam kujdesur për integritetin profesional dhe moral. Kam marrë pjesë në çështje të rëndësishme penale. Kam marrë pjesë në çështjen e Gerdecit, në atë të vrasjes së Azem Hajdarit.

Sa i takon pozicionit për të cilin garoj, do të thoja se është me rëndësi që të ecet përpara me zbatimin e reformës në drejtësi. Prokurori i Përgjithshëm duhet të marrë kompetencat sa i takon zbatimit të Reformës në Drejtësi. Ajo që ka rëndësi është një përmirësim i bashkëpunimit mes organit të prokurorisë, policisë, dhe gjykatave”, u shpreh Koça.

Pyetja nga deputeti Çuçi: A kemi miqësi me ndonjë politikan? Kur ka qenë hera e fundit që keni ngrenë ndonjë drektë ose darkë me ndonjë politikan? A keni patur ndërhyrje nga ndonjë politikan për të mbyllur ndonjë çështje të caktuar?
Përgjigjja e Prokurorit Koça: Për mua është me rëndësi integriteti moral dhe profesional. Principet kryesore që duhet të shoqërojnë një punonjës drejtësia është paanësia, dhe unë them që nuk kam ndonjë raport të tillë. Nuk kam ngrënë drekë me ndonjë politikan, në mënyrën sesi ju e shtroni pyetjen. Sa i takon ndonjë rasti ndërhyrje, është e vështirë, pasi ndërhyrja bëhet në forma dhe lloje të ndryshme. Në karrierën time kam patur çështje me sensitivitet të madh. Do konsideroja ndërhyrje çdo lloj publikimi, shprehje, qëndrimi publik, etj. Çdo prokuror e ndjen këtë, por nuk mund ta pranoj që ndonjë politikan më ka kapur për xhakete dhe më ka thënë bëj këtë apo atë. Ndërhyrje të drejtpërdrejtë nuk kam patur.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb