Nga ERJON SKENDAJ

TIRANE– Atë që nuk ta fal dot Tirana, kënaqësinë e dëborës që s’mbahet mend se kur ka rënë për të fundit herë, kryeqytetasit e kanë kërkuar në malin e Dajtit që ka marrë një pamje magjepse ditët e fundit. I mbuluar si rrallë herë nga petku i bardhësisë që të tundon sapo i hedh sytë nga çdo cep i qytetit.

Përballë kësaj ndjesie shumëkush nuk është menduar dy herë por ka marrë automjetin, familjen në të, me destinacion final Parkun Kombëtar të Malit të Dajtit, duke sfiduar edhe apelin e kryebashkiakut Veliaj për të evituar ekskursionet drejt kurorës alpine të Tiranës.

Rruga që të çon në Dajt dhe mandej në Qafë-Priskë, e cila kalon nga fshati Surrel ku ka shtëpinë kryeministri, nuk ka dëborë, madje as shenja të ngricës në rrugë. Firma e nënkontraktuar i ka marrë mirë masat duke hedhur në të gjithë gjatësinë lineare të asfaltit prej afër 10 kilometrash skorje dhe kripë.

Problemet dalin sapo i afrohesh traut të Parkut Kombëtar të Dajtit, ku akulli në asfalt bëhet gati i pakalueshëm edhe me zinxhirë.

Përballë rrezikut të aksidenteve rrugore, punonjësit e Parkut kanë pezulluar që nga dita e djeshme hyrjen në të, të automjeteve pa zinxhirë.

Me një ditë vonesë borëpastruesja ka nisur punën gjatë paradites së sotme për heqjen e akullit nga asfalti, ndërsa punonjësve të Parkut u është dashur të bindin me mund shoferët të heqin dorë nga përvijimi i udhëtimit në rrugën e mbuluar nga ngrica.

Për të mos u kthyer pas duarbosh më kurajozët kanë përvijuar rrugëtimin drejt lartësisë së Qafë-Priskës, duke sfiduar kësisoj edhe të ftohtin e acartë.

Ata që i gëzohen më së shumti dëborës janë gjithnjë fëmijët të cilët mezi presin të nisin lojën me topa bore.

Rruga e Dajtit është i vetmi segment rrugor që lidh Tiranën me fshatrat Qafë Molle, Shëngjergj, Dershel, Selb dhe Shënmeri, që në këtë stinë të vitit mbartin bukuri të rralla të natyrës, me male të larta, pyje që i kanë mbijetuar zjarreve dhe kullota të fshehura nën dëborë, por që nuk arrijnë të preken nga vizitorë të shumte vendas dhe të huaj, që e kanë të pamundur të vozisin me automjet mbi asfaltin e akullt, ku rrallë ndihet dora e shtetit.

Ka nga ata që akullin në rrugë e shikojnë edhe si një sport që në vetvete mbart rrezik të madh.
Parku Kombëtar i Dajtit shtrihet në një sipërfaqe prej 3300 h dhe konsiderohet si një monument natyror falë pyjeve me dru ahu me moshë deri 200 vjeçar.

Por kjo vlen vetëm për atë që njihet si “Ballkoni natyror i Tiranës” ndërkohë që Malësia e Tiranës që qëndron pas malit të Dajtit ofron një bukurish shumëfish më të madhe, e cila nuk po vihet ende në funksion të turizmit malor për shkak se mungojnë resortet, bujtinat dhe lokalet.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb