NGA DRITAN HILA
Ndezja e fushatës për zgjedhjet vendore do të na qasë portretet që do të qeverisin katër vitet që
vijnë. Nisur nga sa na kanë parë sytë në çerek shekulli, do të ishte e mira që të rinjtë të mos kishin këto dhunti:

1. Të mos mendojnë që bashkia është trampolinë dhe vend ku bëhet leku për kusurin e jetës. Ta shikojnë qytetin a komunën ku do të zgjidhen, si stacioni i fundit i jetës së tyre. Të paktën katër vitet e para.

2. Të mos jenë të emëruarit e qendrës dhe ushtarët e partisë; të mos jenë nënkryetarë bashkish, por njerëz që të kenë në qendër të vëmendjes komunitetin dhe nevojat e tij, pa dallim.

3. Të mos plaçkisin arkën, trojet dhe mbysin qytetin me leje ndërtimesh, sikur pas katër vjetësh do të vijë qameti e nuk do të mbetet gur mbi gur. Ata që po ikin, janë shembulli më i mirë si nuk duhet të jetë një kryetar komuniteti. Kush po vjen është gjëegjëzë, pasi janë të panjohur për dhunti kulture, artistike apo publike. Do perëndia e kanë sensin e masës!

4. Të na kursejnë daljet në ekran për çdo sokak që shtrojnë apo pocaqi që mbulojnë.

5. Do të donim pak më shumë gjelbërim, ndaj për këtë le të planifikojnë ca para, pasi lulet e pemët nuk kushtojnë shumë; ndonjë lulishte, mundësisht ndonjë kënd lojërash për fëmijë apo fushë basketbolli (ndoshta kjo është mision i pamundur).

6. Ndërtesa më të ulëta në lejet e ndërtimit që do të japin, pasi e dimë që pa dhënë të tilla nuk rrinë dot. Dhe mundësisht nja dy pallate të mos jenë me arkitekturën e shëmtuar të fjetoreve që kanë mbushur vendin, por me stil neoklasik, rokoko apo barok, që hera-herës të kujtohemi në çfarë kontinenti gjallojmë.

7. Është e pamundur të krahasosh premtimet e secilit prej tyre në fillim dhe mbajtjen në fund. Një kontratë noteriale me pasoja penale (domethënë të shkojnë në burg për premtimet e pambajtura), do të ishte zgjidhja ideale, por kjo nuk bën vaki. Fillim i mirë do të ishte të mësonin kuptimin e termave si “fjala e dhënë”, “kontratë elektorale”, “hapësira publike”, “nevoja komunitare”, deri më sot të huaja.
8. Të gjitha këto, bashkë me një vizion urbanistik, apo marrje si këshilltarë e urbanistëve, arkitektëve apo piktorë, është shumë. Ndoshta rishpallja e një moratoriumi për ndërtime do të ishte rruga më e drejtë. Kush njeh sadopak ekonominë, e di se ndërtimtaria është një aktivitet që ka marrë fund në Shqipëri dhe ky vend nuk ka më nevojë për sipërfaqe të tjera banimi, pasi nuk ka as fuqi blerëse e as popullsi që shtohet. Për të qenë të ndershëm, pushtetarëve lokalë do të duhej t’iu lihej në dorë kompetencë sa për një ndërmarrje gjelbërimi. Kaq dhe e kanë tepër!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: