Po e bëjmë traditë dhënien e disa këshillave modeste për trajnerët e rinj që marrin drejtimin e Kombëtares shqiptare. Duke qenë se me De Biazin funksionoi dhe na çoi në Europian, gazeta “Panorama Sport” edhe këtë herë është munduar t’i vijë sadopak në ndihmë trajnerit të ri kuqezi, Kristian Panuçi.

Të gjithë personazhet që përmenden duhet ta marrin me sportivitet, sepse është thjesht pak humor dhe natyrisht gazeta nuk ka ndër mend t’i japë leksione për punën dikujt që ka luajtur me Milanin, Interin, Realin e Madridit dhe Romën…

1. Në Shqipëri duan lojë të bukur, duan të fitojnë dhe madje të fitojnë menjëherë… Ty ta falim edhe “katenaçion” po na çove në Europian, siç premtove…

2. De Biazin mund ta kesh vërtet mik, por do të ta përmendin aq shumë, saqë kur ta kesh përballë Xhanin mund të kesh dëshirë ta “godasësh” atë…

3. Duka i do shumë trajnerët e huaj, por më shumë do ata që i kërkojnë pak para… Ti me siguri e ke përmbushur atë kusht, se ndryshe nuk do ishe aty ku je sot!

4. Nëse i kërkon Dukës rritje rroge, duhet ta bësh këtë pasi të jesh kualifikuar në Europian dhe dëshira do të të plotësohet pasi ta kesh fituar Europianin…

5. Sadiku është shqiptar 24 karat, edhe pse ka një dëshirë të madhe të bëhet bullgar…

6. Andi Lila është lojtari që ka më shumë humor në ekip… zakonisht humori i tij përqendrohet te priftërinjtë dhe hoxhallarët…

7. Gashi nuk mund të luajë kurrë si mesfushor krahu… kurrë, e more vesh apo jo?

8. Alban Bushi është trajner i U-21 dhe ëndrra e tij është të bëhet sa më shpejt trajner i Kombëtares së madhe… por ti rri i qetë, ai do t’i lëvizë gurët vetëm kur ti të kesh pësuar dy humbje radhazi…

9. Bekim Balaj shënon kur luan, por askush nuk e ka kuptuar se përse nuk luan. As ai vetë!

10. Sa herë të bëhesh euforik pas ndonjë fitoreje, Jona e FSHF do të të kujtojë se të bëmë ne të famshëm…

11. Dy dëshirat e Dukës ndaj trajnerëve janë që ti të mos kërkosh rritje rroge dhe të mos flasësh me “Panorama Sport”!

12. Starova do të analizojë gjithnjë ndeshjet e tua dhe nuk do të të kursejë asnjëherë. Nuk e njeh? Është trajner, drejtor, këshilltar dhe një i dashuruar me Partizanin.

13. Çarçani do të të udhëzojë gjithnjë që të evitosh kontaktet me “Panorama Sport”! E ka për të mirën tënde dhe të Dukës…

14. Skuadra jonë mund të marrë rezultate të mira vetëm për sa kohë nuk na është mbushur mendja se jemi më të fortë se Spanja!

15. Kukelit mos i kërko kurrë ta kthejë topin te portieri… e bën aq ngadalë saqë gjithnjë topin e kap sulmuesi kundërshtar…

16. Në konferencë mund të nxjerrësh gjithnjë Agollin… nuk thotë kurrë asnjë lajm dhe nuk bën kurrë polemika!

17. Lojtarët e krahut janë Lenjani dhe Roshi! I pari ka muaj që nuk luan dhe po studion për modeling… I dyti ka filluar të luajë gjithnjë e më rrallë, por ka hobi të tallet me Sadikun dhe Lilën!

18. “Panorama Sport” do të të kritikojë sa herë të humbësh dhe për fat të keq nuk do të ngushëllojë as Duka në ato momente…

19. Do bëhesh mik me Edi Ramën po na çove në Europian… Ai pastaj do të të presë në aeroport dhe ti do bësh xhiro me autobus të hapur nëpër Tiranë!

20. Etrit Berisha ka një dëshirë të madhe t’u gjuajë rivalëve me kokë kur skuadra është me 10 lojtarë dhe duke humbur…

21. Cikalleshi nuk ka asgjë personale me shtyllat, ai thjesht u gjuan atyre sa herë dëshiron të bëjë gol! Ti bëj durim!

22. Nëse ti zihesh me ndonjë lojtar, të jesh i bindur se Duka do mbajë anën e lojtarit. Po nuk besove, pyet De Biazin.

23. Mos u çudit kur Kaçe dhe Gashi të flasin anglisht me njëri-tjetrin… Kanë probleme të vogla me shqipen, por kanë nisur kursin që të dy…

24. Disa trajnerë shqiptarë do të të kritikojnë kur ti të mos fusësh në lojë lojtarë nga kampionati ynë… Ata prapë do të kritikojnë kur të marrësh disa të tillë…

25. Do bezdisesh nga pyetje të pakontrolluara nga gazetarët kur do të luajmë ndeshje në shtëpi, por kur luan jashtë, mund të rrish i qetë…

26. Skuadra me më shumë trofe është Tirana, por ka rënë nga Kategoria Superiore. E dyta është Dinamo, por edhe ajo ka rënë një kategori më poshtë…

27. Skuadra me më shumë tifozë në shtrirje territoriale është Partizani, por ka 24 vite që nuk fiton titullin!

28. Skënderbeut i hoqën titullin për shkak të basteve, Kukësit i kanë hequr momentalisht telefonat pikërisht prej basteve. Por ti mos u tremb, nuk do të vënë bast për ty pa parë se çfarë brumi je…

29. Trajneri i huaj që Duka kujton më shpesh nga ata që kanë ikur nuk është De Biazi, por Ari Han.. thonë që i mori ca para borxh dhe nuk ia ktheu…!

30. Dëgjoji me durim kritikat e Hafizit dhe përgjigju kujdesshëm ndaj tij. Mos guxo kurrë të bësh krahasime me arritjet e tij, ndryshe…/panoramasport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb