Europarlamentarët dhe raporterët për Shqipërinë pranë Parlamentit Europian, Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein, janë shprehur sot kategorikisht kundër kalimit të reformës në drejtësi me trafikim të votave në parlament.

Në një prononcim për mediat, Kukan dhe Fleckenstein thanë se blerja e votës është e papranueshme dhe theksuan se reforma në drejtësi duhet të kalojë me konsensus dhe jo me imponimin e njërës palë mbi tjetrën.

“Miratimi i reformës në drejtësi pa opozitën nuk shtrohet si çështje. Çështja shtrohet nëse ata e kanë mazhorancën për çka kërkohet dhe në dijeninë time kjo bëhet me 2/3 e votave për të ndryshuar Kushtetutën. Nëse i kanë këto vota është në rregull, por pa i blerë ato, pasi nëse votat blihen kjo është e papranueshme për këdo”, u shpreh Knut Fleckenstein.

Në të njëjtën linjë ka qenë edhe deklarata e Kukan, i cili ka theksuar se blerja e votës nuk është praktikë evropiane. Kukan nënvizon domosdoshmërinë për miratimin e reformës në drejtësi me konsensus.

“Blerja e votës nuk është një praktikë europiane dhe ne e refuzojmë kategorikisht atë në çdo shoqëri demokratike. Çdo përpjekje e tillë e ngjashme për të zgjidhur çështjen e një projekti kaq të rëndësishëm sikurse është reforma në drejtësi, nëpërmjet blerjes së votës, është thjeshtë e paimagjinueshme në Parlamentin Europian. Prandaj është e rëndësishme për të gjithë liderët politike të flasin dhe të gjejnë rrugët për të arritur një marrëveshje. Asnjë blerje vote dhe asnjë imponim i një pale mbi një tjetër nuk është rruga e duhur, por procesi duhet të ketë mbështetjen e të gjitha forcave politike, sepse vetëm atëherë mund të sjellë progresin e qëndrueshëm të një vendi”, u shpreh Eduard Kukan.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: