Presidenti Safet Gjici dhe stafi i tij po projektojnë Kukësin e Kupave të Europës, i cili me sa duket do të jetë pa trajnerin Ernest Gjoka. Mbas negociatave me dy trajnerë kroatë, drejtuesit i janë rikthyer pistës “Milinkoviç”. Nga burime të sigurta pranë palëve, gazeta mëson se drejtuesit e Kukësit kanë negociuar me trajnerin e Luftëtarit, Mlladen Milinkoviç. Shkes për këto tratativa është bërë një emër i njohur për Kukësin dhe futbollin shqiptar, Ivan Gvozdenoviç.

Ndihmëstrajneri i Tiranës është takuar me drejtues të Kukësit, të cilët i kanë bërë me dije se patrioti i tij i Luftëtarit është në planet e Kukësit për Kupat e Europës, kështu që duke qenë se serbi i Tiranës njihet mirë me Milinkoviç, i kanë kërkuar që të bisedojë me atë në emër të Kukësit. Si shpërblim, nëse ky transferim kryhet, Gvozdenoviç do të jetë ndihmëstrajneri i tij te kuksianët.
Gvozdenovic ka bërë hapa konkretë duke biseduar me teknikun, i cili i ka thënë se çdo gjë varet nga klubi i Luftëtarit. Nëse Kukësi do shërbimet e tij, duhet të kontaktojë dhe të negociojë me drejtuesit e Luftëtarit, pasi sipas kontratës serbi ka të drejtën e rinovimit edhe për një vit me gjirokastritët. Pra, nëse Luftëtari e ka në plane, Milinkoviçit edhe për një vit i rinovohet automatikisht kontrata.
Ivan Gvozdenoviç ka qenë pjesë e Kukësit, ku pas dy sezoneve si futbollist u bë zv.trajner. Kur u largua trajneri Radanoviç, mbas humbjes së finales së Kupës, u largua edhe Gvozdenovic drejt Tiranës.

Trajner gjerman
Ndërkohë, një pistë tjetër dhe shumë e mundshme është afrimi i një trajneri gjerman te Kukësi, me të cilin ka negociata konkrete. Por gjithçka mbetet te paga e teknikut, e cila është goxha e lartë. Emri i trajnerit me të cilin po bisedohet po mbahet sekret, por verilindorët janë të sigurt te cilësia dhe aftësitë e tij, pasi e ka treguar tek ekipet, të cilat ka trajnuar në Gjermani. Madje thuhet se ai ka qenë trajner edhe në Bundesligën 2 dhe zv.trajner në një prej ekipeve të mëdha gjermane./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: