Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |

Kukësi nuk do tjetër blof, plan “masash” për të mposhtur Tiranën

kukesi

Kalendari i rezervon Kukësit një sfidë të fortë kundër Tiranës. Edhe pse kundërshtari ka 12 javë që nuk fiton, verilindorët për të evituar “blofet” po e vlerësojnë maksimalisht. Masat janë shtuar shumë gjatë kësaj jave, duke filluar që nga rritja e ngarkesave në stërvitje, e për të kaluar te rrogat dhe premioja e majme që presidenti Gjici i dha skuadrës. Komponentë këto që vlejnë për ta karikuar më shumë ekipin.

Për të krijuar qetësinë e nevojshme janë evituar daljet para mediave, ndërsa i vetmi që do të flasë do të jetë trajneri. Rëndësi i është dhënë edhe regjimit, ndaj është vendosur që skuadra të grumbullohet 48 orë para këtij dueli, pra dy ditë para. Mësohet që ata do të marrin sot rrugën drejt Kukësit, fill pasi të mbyllin seancën stërvitore që kanë paradite në Pezë Helmes.

Shkaku nuk është vetëm “izolimi”, por edhe ambientimi me fushën. Natyrisht dhe për të qenë më harmonik dhe me tifozët, pasi duke qenë në qytet për dy ditë kontaktet janë dhe më të afërta me mbështetësit. Lëvizja e fundit e drejtuesve është hapja e dyerve të “Zeqir Ymeri”-t, me qëllim që në stadium të ketë sa më shumë tifozë që të përkrahin skuadrën.

Formacioni
Ernest Gjoka ka mungesa të mëdha këtë javë. Katër lojtarë nuk do të jenë në fushë, duke filluar nga zv.kapiteni Ylli Shameti (ka pësuar një tërheqje), e duke vazhduar me Simon Rrumbullakun (vijon rehabilitimin në shtetin fqinj grek). Përveç dy të dëmtuarve, ka edhe të pezulluar prej të verdhëve, konkretisht Kale dhe Imami. Ky i fundit është përdorur shpesh dhe si “xhol” nga Gjoka, ndaj këtë javë do t’i duhet të “shkartisë” formacionin.

Sipas asaj që është provuar, pritet që Hallaçi do zëvendësojë Imamin, duke kaluar nga krahu i djathtë në të majtë. Vendi i lënë bosh nga kapiteni do t’i besohet Rexhep Meminit. Shameti do zëvendësohet nga Pashaji, i cili kthehet nga një dëmtim që e la më shumë se një muaj e gjysmë jashtë fushave të blerta. Ndërsa në vend të Kales rikthehet Matija Dvornekoviç, i cili pati një rol protagonisti në fitoren në Durrës, pasi fitoi 11-metërshin e shndërruar në gol nga Pejiç./panoramasport


KOMENTO

*E-mail nuk do te publikohet.
Komenti juaj do publikohet brënda 3 orëve , nëse përdorni fjalor ofendues , komenti nuk do të publikohet nga moderatori .


Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.