Të ardhurat që vijnë nga pjesëmarrja në Kupat e Europës janë të majme dhe jo më kot ekipet luftojnë fort që në fund të sezonit të arrijnë këtë objektiv. Ndryshe nuk ndodh as për klubet shqiptare që në rastin më të keq, nëse asnjëra nuk arrin të kalojë fazën e parë në “Europa League”, apo Kukësi fazën e dytë në “Champions League”, kanë të garantuara 1 mln e 225 mijë euro.

Kukësi është ekipi që merr shumën më të madhe pasi shpërblehet dyfish. Faza e dytë në Ligën e Kampionëve shpërblehet 320 mijë euro, ndërsa 260 mijë të tjera akordohen si fituese e kampionatit. Në rast se verilindorët arrijnë fazën e grupeve të “Champion League”, atëherë sipas UEFA-s nuk jepet kontributi për titullin kampion, por nëse kjo ndodh nuk do ishte aspak problem pasi nëse Kukësi do arrinte në këtë stad, do shpërblehej me miliona euro.

Ndërkohë, Partizani, Skënderbeu dhe Tirana kanë të sigurtë nga 215 mijë euro secila. Kjo vetëm për faktin që marrin pjesë në turin e parë paraeliminator të Ligës së Europës. Kujtojmë se edicionin e kaluar Shqipëria humbi 260 mijë eurot për klubin kampion (për shkak të pezullimit të Skënderbeut) dhe po ashtu u paraqit me tri ekipe në Europë.

Dëmi në këtë rast nuk ishte vetëm financiar, por edhe në imazhin e klubeve shqiptare.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb