PRISHTINE- Kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, thotë se parimisht nuk është kundër dialogut me Serbinë. Megjithatë, ai mendon se dialogu duhet të zhvillohet me serbët e Kosovës, ndërsa për Asociacionin e Komunave serbe thotë që ai të jetë menduar si Republikë e re Srpska.

Kurti thotë se negociatat me Beogradin janë ndalur, dhe pohon se ka pasur shumë investime e pak dobi gjatë gjashtë viteve.

“Është koha të shqyrtohet pse është bërë kështu. Neve na duhen negociata me BE-në për bisedimet me Beogradin” , ka thënë Kurti për të përjavshmen e Beogradit.

“Në parim nuk jemi kundër dialogut, por ne jemi kundër dialogut pa parim. Para së gjithash na duhet dialogu me serbët e Kosovës”, ka thënë ai.

Kurti pohon se me dialogun e deritanishëm në Bruksel, Serbia ka dëshiruar t’i afrohet BE-së e njëkohësisht ta forcojë Serbinë brenda Kosovës, dhe se në këto biseda Kosova ka qenë temë e dialogut e jo palë në dialog, dhe kjo gjë, sipas tij, ka ndodhur për shkak të neglizhencës së qeverive të korruptuara të Kosovës.

Kurti ka thënë se sloganin e dikurshëm “Kosova është Serbi”, Qeveria e Serbisë po e zëvendëson me “Kosova do të bëhet Bosnjë”, duke e krahasuar Asociacionin e Komunave serbe me mënyrën si është krijuar Republika Srpska.

“Më 26 prill 1991, 14 komuna në B e H kanë krijuar Bashkësinë e vet të komunave e cila më 9 janar 1992 ka shpallur pavarësinë, ndërsa më 28 shkurt të atij viti e ka nxjerrë edhe Kushtetutën e vet”, ka thënë Kurti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: