TIRANE- Zbulohen emrat e diplomatëve rusë që do të dëbohen nga Shqipëria. ‘BalkanWeb’ mëson se ata janë Vladislav Filipov, atasheh ushtarak, si dhe Alexey Nikolaevich Balashov, sekretar i parë i Ambasadës.

Vendimi për largimin e dy diplomatëve rusë u mor nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme. Siç u njoftua edhe më herët nga MEPJ, dy 2 diplomatët rusë u shpallën ‘non grata’ në Shqipëri, pas konflikteve të këtyre ditëve të fundit mes Rusisë, Britanisë së Madhe si dhe vendeve të tjera të Europës, pas helmimi të ish-spiunit rus Sergei Skripal në Britani.

Në mbledhjen e grupit të Partisë Socialiste, kryeministri Rama paralajmëroi dëbimin e diplomatëve rusë. “Qeveria do të vendosë për dëbimin e disa shtetasve rusë. Ky është një veprim i koordinuar me vendet e NATO-s. Do dëbojmë rusët që kanë shkelur interesat kombetare”, kështu mësohet se është shprehur Rama.

Kujtojmë se sot, SHBA urdhëroi dëbimin e 60 diplomatëve rusë ndërsa Gjermania dhe Franca vendosën dëbimin e 4 diplomatëve rusë. Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk deklaroi se 14 shtete të BE-së kanë dëbuar nga vendet e tyre diplomatët rusë, pasi blloku e konsideron përgjegjëse Rusinë për helmimin e ish-spiunit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia, në Salisbury në Britani të Madhe.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb