TIRANE – Kuvendi miratoi të enjten me 74 vota pro dhe 1 abstenim projektligjin “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, që synon të adresojë drejtpërdrejt luftën kundër korrupsionit.

Ky ligj, që do te nisë nga zbatimi më 1 tetor, parashikohet të jetë një instrument efikas jo vetëm në parandalimin, por dhe ndëshkimin e korrupsionit në sektorin publik.

Gjatë seancës së sotme, që u zhvillua pa praninë e opozitës, deputetët miratuan me 76 vota ndryshimet në ligjin “Për miratimin e huamarrjes prej 295 420 000 sdr-sh, që FMN i akordon Shqipërisë për programin 36-mujor të ndihmës (EFF)”. Objektiv i këtij drafti është dhënia e formës së duhur ligjore ndryshimit të termave të kredisë së mësipërme të akorduar nga FMN, në mënyrë që pala shqiptare të jetë në gjendje të përfitojë nga ndryshimi i tarifave të përmirësuara.

Kuvendi miratoi me 75 vota ndryshimet dhe shtesat në ligjin “Për menaxhimin e sistemit buxhetor”, që synon forcimin e disiplinës financiare përmes vendosjes së parimeve fiskale.

Me 74 vota kaloi ratifikimi i dokumentit të ndryshimit të marrëveshjes së huasë, ndërmjet palës shqiptare dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), për financimin e projektit të burimeve ujore dhe ujitjes, ndërsa ratifikimi i marrëveshjes me CEFTA-n u miratua me 75 vota.

Seanca e sotme miratoi dhe pr/ligjet e mbartura nga seanca paraardhëse. Me 75 vota kaloi shpallja e moratoriumit të gjuetisë, si dhe dy ligje qe lidhen me çështjet e pronësisë, ai “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, si dhe një ndryshim në ligjin “Për përfundimin e procedurave të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve”.

Ceshtja e fundit e miratuar nga seanca e sotme ishte ratifikimi i marrëveshjes ndryshuese për financimin e projektit “Linja e transmetimit 400 kilovolt Shqipëri-Kosovë (Tiranë-Prishtinë)”, nëpërmjet një huaje prej 42 milion eurosh.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: