TIRANË- Kuvendi i ka hapur dritën jeshile qeverisë që të nisë negociatat për të firmosur marrëveshjen e ndërtimit të kullës ikonike në Tiranë, e cila parashikohet të jetë edhe ndërtesa më e lartë në vendin tonë, plot 350 metra.

78 deputetë të Kuvendit votuan pro ndërtimit të saj, ndërsa njëri abstenoi. Firmosja e kësaj kontrate duhet të kalonte me çdo kusht nga Kuvendi duke qënë se firma arabe që do ta ndërtojë “Al Habtoor Investment” ka kërkuar të përjashtohet nga taksat.

Në këmbim të projektit ku do të investohen 250 milion dollarë, firma kërkon përjashtim nga çdo lloj takse për 15 vjet dhe faljen e 25 mijë metrave katrorë truall në fund të bulevardit të ri të Tiranës, meqenëse do të punësojë 6000 njerëz gjatë ndërtimit dhe 3000 pas përfundimit.

Në total vlera ekonomike e kësaj vepre nëse shitet arrin në 483 milion dollarë. Ambientet do të kenë si qëllim banimin, dhënien e shërbimeve dhe hotelerinë. Kompania “Al Habtoor Investment” ka premtuar se do të përfundojë ndërtimin për 3 vjet.

Kujtojmë se projektin ambicioz e prezantoi vetë kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: