TIRANË- Kreu i PD-së Lulzim Basha ka reaguar për herë të parë pas nisjes së procesit të numërimit, nga ku deri në këto momente PS është në avantazh të thellë.

Ai iu ka drejtuar një mesazh numëruesve dhe komisionerëve të PD-së, duke i inkurajuar të vazhdojnë punën dhe të mos lejojnë deformimin e vullnetit të qytetarëve. Kjo deklaratë vjen pas zërave kritikë ndaj kreut të PD-së, disa prej të cilëve kanë kërkuar dorëheqjen e tij.

Madje sot, Besnik Mustafaj, i pari që kërkoi dorëheqjen e Bashës tregoi në News24 për një bisedë telefonike me kreun e PD-së, ku ky i fundit ishtë shprehur i shqetësuar nga deklarata e ish-ministrit pasi mund të dekurajonte numëruesit dhe vëzhguesit e PD-së.

Mesazh i kryetarit të PD Lulzim Basha për numëruesit dhe komisionarët
Të dashur komisionerë, numërues dhe vëzhgues të PD: Numërimi i votave vazhdon në kushte të vështira për ju, të orëve të gjata, të vapës dhe nën presionin e kundërshtarëve.

Secili prej jush ka mirënjohjen më të thellë dhe mbështetjen totale të demokratëve dhe timen për të garantuar numërimin deri në fund të çdo vote. Mos lejoni asnjë deformim, asnjë tjetërsim të vullnetit.

Çdo votë vlen, çdo votë duhet numëruar, çdo votë duhet llogaritur deri në fund. Për demokratët dhe të gjithë qytetarët e ndershëm të këtij vendi, ju jeni shembulli më i lartë i kurajës politike dhe qytetare.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: