Tre arrestimet në Vlorë dhe dy në Shkodër me akuzën e blerjes së votave nuk do të jenë të fundit.

Burime zyrtare nga Policia e Shtetit raportojnë për “BalkanWeb” se në orët në vijim priten aksione në disa rrethe të vendit ku strukturat e policisë prej disa ditësh po mbajnë në vëzhgim përfaqësues të disa subjekteve elektorale që dyshohet se po ofrojnë para për blerje votash.

Të njëjtat burime raportojnë për “BalkanWeb” se për disa persona janë grumbulluar provat e mjaftueshme që vërtetojnë konsumimin nga ana e tyre të veprës penale të blerjes së votave.

Burimet janë të rezervuara sa i përket emrave dhe përkatësisë politike të shtetasve që në orët në vijim pritet të prangosen.

Sipas ndryshimeve të reja në Kodin Penal, shitblerja e votës dënohet në mënyrë taksative nga 1 deri në 7 vite burg. Nuk do të ketë masa ndëshkimore si gjoba por vetëm burg për ata që do të tentojnë tjetërsimin e vullnetit të lirë të votuesve shqiptarë. Kjo vepër penale, do të jetë e paamnistueshme.

Do të dënohet nga 1 deri në 7 vite burg marrësi dhe dhënësi i kartave të identitetit. Shpërdorimi i autoritetit policor për të influencuar në mbështetjen e një partie politike do jetë vepër penale dhe të dënohet deri në 5 vjet burgim.

Përdorimi i të mjeteve publike, veprimtarisë shtetërore apo i burimeve financiare ose njerëzore, për zgjedhje, do dënohet vetëm më burgim, nga 1 deri ne 4 vjet. Po kështu ndryshimet në Kodin Penal parashikojnë ashpërsim të dënimeve për të gjitha veprat e tjera penale në fushën e zgjedhjeve, duke i parashikuar të gjitha si krime.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: