TIRANE – Pas vendimit për të bllokuar pasaportën e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, avokati i tij Maksim Haxhia ka apeluar vendimin e Gjykatës për heqjen e masës së bllokimit të pasaportës. Ai kërkon shfuqizimin e këtij vendimi, gjë që do t’i lejonte daljen jashtë shtetit Tahirit.
Sipas avokatit nuk ka asnjë provë të re që të shtyjë Gjykatën të marrë këtë vendim.
Por prokuroria thekson se është bazuar në një dosje të dytë të nxjerrë nga autoritetet italiane nga përgjimet e trafikantëve të drogës, raportoi për BalkanWeb, gazetarja Klodiana Lala.
Haxhia thotë nuk ekziston rreziku që Tahiri të largohet jashtë vendit, pasi ai është një njeri me reputacion në vendin e tij dhe nuk ka asnjë interes të largohet.
Tahirit iu bllokua dalja jashtë shtetit, si rrjedhojë e hetimeve pas akuzave për trafik droge.
Prokuroria e Katanias ka mbyllur zyrtarisht hetimet për dosjen ‘Habilaj’ ku ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri nuk bën pjesë tek personat që do të hetohen. Media italiane ‘Meridio news’ shkruajti ditë më parë se personat që do të hetohen drejtoheshin nga Moisi Habilaj, i cili ndodhet i në burg në Itali.
(e.f/BalkanWeb)