VLORË – Policia ka bllokuar një furgon me një sasi të konsiderueshme me lëndë narkotike në qytetin e Vlorës. Plot 932 kg kanabis u ndaluan mbrëmjen e djeshme rreth orës 22.30 në lagjen “Hajro Çakërri” pranë vendit të quajtur “Kuzum Baba”.

“Më datë 23.05.2017, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se në qytet po qarkullonte një një furgon tip Benz Mercedes, me targë AA 196 AI  i dyshuar se mund të transportonte lëndë narkotike,” shkruhet në njoftimin e policisë.

Nga kontrolli i ushtruar në këtë mjet, shërbimet kanë gjetur në mënyrë të sistemuar 46 pako të formave dhe përmasave të ndryshme të mbështjella me natriban dhe qese transparente, brenda të cilave ishin mbushur me material bimor në formë boçesh, e ngjashme si ajo e llojit Cannabis Sattiva.

Nga peshimi i lëndës narkotike, ka rezultuar se pesha e përgjithshme është prej 932 kilogramë, e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale bashkë me furgonin.

Në lidhje me këtë ngjarje është shpallur në kërkim shtetasi G.M (për arsye hetimi nuk mund të japim gjeneralitete të plota).

Vazhdojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë bashkëpunëtor të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet do ti kalojnë Prokurorisë për veprën penale “Prdhimi dhe shitja e lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim” parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb