TIRANË- Pas takimit me aleatët kryedemokrati Lulzim Basha iu bashkua çadrës së protestës, por nuk deklaroi mbylljen e saj. Lideri i PD-së shtoi se demokratët do ta vijojnë rezistencën e tyre deri në krijimin e Republikës së Re, duke e zhvendosur marshimin në qendrat e qyteteve të tjera.

“Kjo ishte vetëm nxemja, ndeshja fillon pas një jave, ne marshojmë drejt fitores bashkë me betejën tonë për zgjedhje të lira e të ndershme”.

Sipas tij, marrëveshja e arritur me Ramën sjell rrëzimin e gjysmës së qeverisë, por se ai do vijojë luftën deri sa të sjellë Republikën e Re.

“Republika e Vjetër ka pranuar rrugën institucionale të asgjësimit të saj. Kjo është domethënia e angazhimit për Reformën Kushtetuese. Po shkojmë drejt Republikës së Re”,- tha Basha ndër të tjera.

Duke iu drejtuar protestuesve se ishin shpirti i qëndresës së kauzës së opozitës, Basha tha se ishte pikërisht kjo lëvizje që shembi muret e kështjellës së mykur të Republikës së Vjetër.

“Vëllezër dhe motra plot 90 ditë më parë ju nisët një rrugëtim epik qytetar patriotik , demokratik, paqësor, evropian dhe të vendosur për të mos pranuar më me kokën poshtë gjendjen e mjerë të vendit, Për të treguar të vërtetën tuaj, botës mbarë të vërtetën e dhimbshme të Shqipërisë nën zgjedhën e drogës, krimit e korrupsionit. Në këtë shesh i treguat Shqipërisë, Europës e mbarë Botës se shpresa nuk ka vdekur se kurajo triumfon mbi frikën dhe se drita e të vërtetës dhe forcës së pathyeshme. Muret ranë vetëm prej qëndresës dhe krajos tuaj. Askush nuk na kthen dot nga rruga që kemi nisur”,- tha ai.

MARREVESHJA
Në marrëveshjen mes të dyve u arrit që data e zgjedhjeve të jetë 25 qershori dhe se regjistrimi i partive opozitare duhet të bëhet brenda 26 majit. Opozita do marrë zv.kryeministrin dhe 6 ministri teknike. Opozita po ashtu do marrë drejtimin e OSHEE, ALUIZNIT, AZHB, drejtimin e hipotekave e burgjeve.

Në bazë të kësaj marrëveshje, Parlamenti do të votojë ligjin e vettingut në një seancë të posaçme.

Po ashtu do ketë ndryshime në kodin penal për shitblerje të votës. Opozita do të propozojë kreun e KQZ dhe Avokatin e Popullit.

Pjesë e marrëveshjes është edhe reforma kushtetuese e ajo zgjedhore në fillim të legjislaturës. Ndërsa votimi dhe numërimi elektronik do të realizohet në zgjedhjet pasuese.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: