TIRANË- Përfundojnë pas 5 orësh e 10 minutash negociatat Rama-Basha në Pallatin e Kongreseve. Kryeministri ka shmangur komentet ndërsa kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha shkurtimisht për gazetarët se: “shumë shpejt do bëhet publike ajo që vendosëm”. I pari që ka lënë ambjentet e Pallatit të Kongreve ka qenë shefi i qeverisë e mandej pas tij ka dalë edhe lideri i opozitës. Në negociatat e paradites së sotme që gjatën për 310 minuta, Rama shoqërohej nga Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, ndërsa Basha nga deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi.

Ora 10:00 – Kryeministri Edi Rama dhe kreu i PD-së Lulzim Basha që arritën në orët e para të mëngjesit të sotëm një marrëveshje, zhvilluan sot një takim tjetër në Pallatin e Kongreseve.

Me sa duket ky takim u bë për të qartësuar detajet e marrëveshjes së djeshme, ashtu siç edhe kishte paralajmëruar kreu i PD-së Lulzim Basha.

takimi-rama-basha-1

Por ndryshe nga takimi kokë më kokë Rama dhe Basha u shoqëruan nga stafi i tyre teknik përkatësisht nga Ëngjëll Agaçi dhe  Oerd Bylykbashi. Kryeministri Edi Rama dhe lideri i opozitës, Lulzim Basha kanë pohuar arritjen e një marrëveshjeje mes tyre. Lajmin e mirë e ka pohuar i pari Basha në orën 01:15.

“Kemi një marrëveshje bazuar mbi paketën McAllister+ të propozuar nga SHBA-të. Marrëveshja do të detajohet në 24 orët e ardhshme dhe vetëm pas detajimit do të kemi një komunikim publik të të gjithë detajeve të marrëveshjes”, deklaroi Basha.

Dhe pas tij Rama ka deklaruar: “Për sa më takon mua më lejoni të jem 100% dakord me kryetarin e opozitës, faleminderit”. Si Rama dhe Basha nuk kanë dhënë mandej detaje rreth marrëveshjes së arritur por kanë preferuar të shtrëngojnë duart para kamerave.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: